
Te ardhurat nga rrjetet sociale dhe pagesat per shkurtimet nga puna do te tatohen
Të ardhurat nga Tik-Tok, Instagram, Booking dhe AirBnB, bonuset dhe përfitimet e dëmshmpërblimit për shkurtimet nga puna do konsiderohen si të ardhura nga punësimi.
Si tatim mbi pagën do të jetë edhe 80% e komisioneve ndaj agjencive të rekrutimit për marrjen e punonjësve të huaj. Të ardhurat nga punësimi sipas ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” do të tatohen sipas normave progresive nga 13 deri 23%.
Udhëzimi për zbatimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” i botuar në Fletoren Zyrtare që hyn në fuqi nga 1 Janari 2024 parashikon se të ardhurat nga punësimi, gjithashtu, përfshijnë pagesat e menjëhershme që jepen në rastet e shkurtimit të vendit të punës apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit.
Nëse një punëmarrës, për shkaqet e mësipërme dhe bazuar në detyrimet e punëmarrësit sipas kushteve të kontratës, merr një të ardhur nga ish-punëdhënësi i tij në formën e bonusit ato do të tatohen sipas normave tatimore mbi pagat nëse pagesa e bonusit është e përmuajshme. Nëse pagesa kryhet në një shumë të vetme do të tatohet 15%.
Udhëzim ndër të tjera përcakton se për rastet kur agjenci të huaja i ofrojnë entiteteve juridike shqiptare fuqi punëtore nga jashtë, por pagesa e fuqisë punëtore i bëhet agjencisë së huaj sipas kontratës, tatimi që llogaritet dhe mbahet si tatim mbi pagën do të jetë jo më pak se 80% e tarifës totale që është paguar nga entiteti shqiptar për agjencinë e huaj të punësimit.
“Një kompani ndërtimi shqiptare ka kërkuar nga një agjenci punësimi kineze që ta furnizojë me 50 punonjës ndërtimi, të cilët do të punojnë për një periudhë 6-mujore. Pagesa totale e cila përfshin koston e punës dhe komisionin e agjencisë është 380 mijë euro.
Për nevoja të zbatimi të paragrafit 3 të nenit 12,të ligjit, fondi i pagave bruto supozohet të jetë 380.000 x 80 % = 304.000 euro. Secili punonjës supozohet të ketë përfituar mesatarisht: 304.000 : 6 muaj : 50 punonjës = 1.013 euro në muaj.
Kjo do të jetë baza mbi të cilën do të llogaritet detyrimi tatimor për çdo punonjës, ndërkohë që detyrimin për deklarimin dhe pagesën e tatimit e ka kompania shqiptare e ndërtimit”, citohet në shembullin e udhëzimit.
Sipas Udhëzimit do të konsiderohen të ardhura nga punësimi dhe të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë nga pagesat që bëjnë personat jorezidentë tatimorë në Shqipëri për persona rezidentë tatimorë në Shqipëri pavarësisht detyrimi i paguesit të të ardhurave për të mbajtur tatimin në burim apo detyrimit të përfituesit të të ardhurave për të deklaruar të ardhurën e marrë dhe për të paguar detyrimin tatimor në lidhje me këtë të ardhur.
“Si shembull përmendim të ardhurat dhe pagesat për personat rezidentë shqiptarë nga platformat e internetit, si: Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtube etj. Airbnb, Booking etj., apo në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon, Alibaba etj.
Mënyrat e deklarimit dhe pagesës në Shqipëri të detyrimeve tatimore për të ardhurat e tatueshme në Shqipëri dhe që lidhen me përdorimin e këtyre siteve dhe platformat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve, zhvillohen nga administrata tatimore dhe u vihen në dispozicion përdoruesve”, përcaktohet në udhëzim.
Ndërsa për vendimet gjyqësore për dhënie kompensimi për të largimit nga puna nëse vendimi i Gjykatës i trajton si të ardhura në formën e kompensimit apo dëmshpërblimit, pa detyrimin për pagesën e kontributeve sipas muajve dhe viteve të kaluara, tatimi mbi të ardhurat llogaritet 15 % mbi pagesën bruto të përfituar nga punëmarrësi.
Po nëse vendimi i Gjykatës sipas udhëzimit shoqërohet me detyrimin e punëdhënësit, që krahas pagës, t’u paguajë punëmarrësit edhe kontributet e sigurimeve, të ardhurat e përfituara trajtohen si të ardhura nga punësimi të viteve për të cilat janë paguar dhe tatimi llogaritet si i tillë.
Nuk konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe nuk janë pjesë e bazës tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagat, përfitimet e të punësuarve për vlera ushqimore të konsumuara, pijeve (jo alkolike), pajisjet e punës apo trajtimi mjekësor.
Udhëzimi
Fusha e zbatimit
2.1 Në përcaktimin e detyrimit tatimor të personave rezidentë tatimorë në Shqipëri, qofshin këta persona fizikë apo entitete, zbatohet parimi i tatimit të të ardhurave mbarëbotërore të tyre, pra i të ardhurave të realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe atyre të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Për të ardhurat e realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kreditohet tatimi i huaj i paguar, deri në masën e detyrimit të pagueshëm në Shqipëri që u atribuohen atyre të ardhurave të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2.2 Si parim i përgjithshëm, në përcaktimin e detyrimit tatimor të personave jorezidentë tatimorë në Shqipëri, qofshin këta persona fizikë apo entitete, zbatohet parimi i tatimit të të ardhurave me burim në Shqipëri,
por edhe i të ardhurave të tyre të tatueshme në mbarë botën që i atribuohen një selie të përhershme në Shqipëri, apo edhe të ardhurave të tyre të tatueshme nga të gjitha burimet por që kanë një burim në Shqipëri, sipas nenit 4, “Burimi i të ardhurave”, në një vit të caktuar tatimor.
2.3 Ndërkohë, në zbatim të marrëveshjeve për eliminimin e tatimit të dyfishtë që Shqipëria ka nënshkruar me vendet e tjera dhe të cilat janë në fuqi, përcaktohen të ardhurat dhe normat e tatimit në lidhje me pjesën e tatimit që duhet të paguhet në Shqipëri, si dhe metodat e eliminimit të tatimit të dyfishtë nëpërmjet mekanizmit të përjashtimit të tatimit të mbajtur në burim apo kreditimit të tatimit të paguar në Shqipëri.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/te-ardhurat-nga-tik-tok-instagram-booking-dhe-demshperblimet-e-permuajshme-per-te-larguarit-nga-puna-do-tatohen-nga-13-deri-23/
Më të lexuarat








