Aplikimet per tarifat e reja te ujesjellesve, ERRU shtyn serish afatin
Ndërmarrjet e reja të ujësjellës-kanalizimeve të krijuara pas reformës së agregimit kanë kërkuar më shumë afat për të përgatitur aplikimet e tyre për tarifat e reja.
Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka vendosur që nga 31 gushti që ishte më herët afati i ri të jetë 30 shatori. Kërkesën zyrtare e ka bërë Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.
“Me shkresën nr. 1608 prot., datë 8.9.2023, me lëndë “Kërkesë për shtyrje afati për paraqitjen e dokumenteve për aplikimin e nivelit të ri të tarifave” AKUM-jaka paraqitur kërkesë për shtyrje të afatit të aplikimeve për tarifa deri më datë 30 shtator 2023 nga ana e shoqërive UK,
me arsyetimin e problematikave të hasura nga shoqëritë e riorganizuara gjatë kësaj periudhe, si: konstituimi i këshillave të rinj bashkiakë dhe periudhës së ngarkuar nga shoqëritë rajonale UK si rezultat i fluksit të madh turistik në zonat bregdetare dhe ato malore” parashtrohet në shkresën e Entit Rregullator të Ujit.
Pas kësaj Komisioni Kombëtar Rregullator vendosi që “Përjashtimisht për vitin 2023,afati përfundimtar për paraqitjen e dokumentacionit të plotë të aplikimit për nivel të ri të tarifave për shoqëritë SKP/UK është data 30 shtator 2023.
Ngarkohen për zbatimin e këtij vendimi të gjitha shoqëritë rajonale ujësjellës-kanalizime dhe të gjitha strukturat e Entit Rregullator të Ujit” thuhet në vendim.
Bashkimi i ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve që çon në 15 numrin total të tyre nga të paktën 58 që ishin më herët para nisjes së këtij procesi ka bërë që edhe aplikimet për tarifat e reja të kërkojnë më shumë kohë.
Zakonisht dokumentacioni lidhur me aplikimet e reja duhet të paraqitej brenda fundit të qershorit por me situatën e re Enti Rregullator i Ujit ka vendosur që t’ju japë më shumë kohë ndërmarrjeve duke u lënë një afat tjetër me tre muaj më shumë.
Sipas një vendimi të miratuar në qershor Enti parashtronte se janë të paktën 12 ndërmarrje të reja të krijuara nga bashkimi i ujësjellësve ndërsa mbeten në proces edhe krijimi i tre të tjerëve.
Nga fillimi i procesit të agregimit apo bashkimit të ujësjellësve që synon rritjen e eficiencës së sektorit dhe përmirësimin e situatës financiare në tërësi janë krijuar 12 ndërmarrje të reja.
Në mënyrë të vazhdueshme sipas paraqitjes së dokumentacionit nga ana e ERRU ujësjellësit kanë marrë licenca 4 vjeçare./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/aplikimet-per-tarifat-e-reja-te-ujesjellesve-erru-shtyn-serish-afatin-deri-ne-30-shtator-23/