Secondary Adv

Normat e interesit te depozitave ne Leke rane serish ne Korrik

Normat mesatare të interesit për depozitat në Lekë të individëve pësuan përsëri një rënie të lehtë në muajin korrik.

 

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lekë për individët ra në 1.45%, nga 1.46% që kishte qenë në muajin qershor.

 

Rënia e normës së interesit për depozitat e reja në muajt e fundit ka shkaktuar edhe frenimin e rritjes së normës mesatare të interesit për depozitat gjendje. Norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në Lekë të individëve në korrik zbriti në 1.77%, nga 1.84% që kishte qenë për muajin qershor.

 

Normat e interesit të depozitave filluan të rriteshin pas ndryshimit të kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, në mars të vitit të kaluar.

 

Rritja u nxit sidomos nga një rritje e shpejtë e yield-eve të Bonove të Thesarit të qeverisë shqiptare, që tërhoqi një rritje të fortë të investimeve direkte të individëve dhe krijoi më shumë konkurrencë për kursimet e publikut.

 

Por, rënia e yield-eve të bonove dhe obligacioneve që prej fillimit të këtij viti ka frenuar ndjeshëm rritjen e normave të interesit të depozitave.

 

Këtë vit, Banka e Shqipërisë e ka frenuar ciklin e rritjes së shpejtë të normave të interesit. Norma bazë është rritur vetëm një herë, në muajin mars dhe aktualisht ndodhet në 3%, një nga nivelet më të ulët në Europë.

 

Ky frenim shpjegohet më së shumti me forcimin e lekut në kursin e këmbimit valutor.

 

Ndërkohë, rënia e normave të interesit për depozitat e reja po sjell edhe një frenim të dukshëm në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, që ka si qëllim rritjen e normave të interesit të produkteve financiare, me qëllim nxitjen e kursimit dhe frenimin e kreditimit.

 

Normat e interesit për depozitat në Euro shënuan rritje në muajin korrik, por sidoqoftë ngelen në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me depozitat në Lekë.

 

Për muajin korrik, norma mesatare e interesit pë depozitat e reja në Euro arriti në 0.89%, nga 0.74% që ishte në muajin qershor. Normat e referencës së Euros kanë arritur në nivele më të larta krahasuar me ato të Lekut.

 

Banka Qendrore Europiane e ka çuar normën bazë në 4.5%, ndërsa Euribori 12-mujor ka arritur tashmë në 4.22%. Por, pavarësisht kësaj, në tregun shqiptare normat e interesit që përfitohen nga depozitat në Euro ngelen shumë të ulëta.

 

Në rastin e Euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me Lekun.

 

Gjithashtu, ndërmjetësimi në Euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave.

 

Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në Euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në Lekë./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/normat-e-interesit-te-depozitave-ne-leke-rane-perseri-ne-muajin-korrik/


Më të lexuarat