Secondary Adv

Hapet tenderi per hekurudhat, 100 mln leke per dy segmente

Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave ka hapur dy tenderë me nga 50 milionë lekë secilin për përmirësimin dhe rritjen e shpejtësisë së lëvizjes në linjë.

 

Pritet të ndërhyhet në dy segmente, atë Durrës-Elbasan dhe Rrogozhinë-Lushnje. Në secilën këto linja do të zëvendësohen materialet e amortizuara të trasesë në një gjatësi prej 4 mijë metra linearë për secilin segment.

 

Siç specifikohet ndër të tjera në dokumentet e tenderave, do të kryhet plotësimi i linjave me traversa druri të reja, pasi ato ekzistuese janë plotësisht të kalbura dhe një pjesë janë djegur në masë nga rënia e zjarreve.

 

Krahas këtyre punimeve, në urën e Rrogozhinës do të zëvendësohen edhe parmakët që janë amortizuar. Sipas Hekurudhës Shqiptare, në përfundim të punimeve të mësipërme, mendohet se shpejtësia e lëvizjës së trenave në këto dy segmente nga 5 km/orë që është aktualisht, të shkojë deri në 40 km/orë.

 

Ndërkaq, referuar buxhetit të shtetit 2023, për transportin hekurudhor janë parashikuar rreth 28.2 milionë euro financime të huaja, që do të përdoren për linjën Shkodër-Hani i Hotit;

 

rehabilitimin e linjës Durrës-Terminali i pasagjerëve Tiranë; ndërtimin e linjës Tiranë-Rinas dhe studim fizibiliteti për linjën Durrës-Prishtinë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në vend është 204 km./Burimi: SCAN


Më të lexuarat