Secondary Adv

Rritja e pages minimale permiresoi deficitin e skemes se pensioneve

Deficiti i skemës publike të pensioneve erdhi në ulje ketë vit edhe pse numri i pensionisteve po vjen në rritje të shpejtë nga plakja e popullsisë.

 

Të dhënat e Ministrisë së Financave treguan se shpenzimet për skemën e pensioneve ishin 23 % më të larta se të ardhurat nga kontributet në 7-mujor, nga 31 % që ishte vitin e kaluar. Ky ishte niveli më i ulët i 10 viteve të fundit.

 

Përveçse në % deficiti i skemës së pensioneve u ul edhe në vlerë duke arritur në 21,5 miliardë lekë në 7- mujorin 2021 nga 27, 4 miliardë lekë ishte në vitin 2022 në të njëjtën periudhe.

 

Ulja e deficitit të skemës se pensioneve do të thotë se buxheti i shtetit paguan më pak nga taksat e qytetarëve për pjesën e pensioneve që nuk mbulohen dot nga të ardhurat nga kontributet.

 

Ekspertët e sigurimeve pohojnë se ulja e deficitit po vjen nga dy arsye themelore. E para të ardhurat nga kontributet janë rritur ndjeshëm nga përmirësimi i treguesve të punësimit dhe rritjes së pagës minimale.

 

Në krahun e shpenzimeve po ndikojnë pozitivisht presionet në ulje të pagesave. Pensionistët rishtas në skemë po përfitojnë te ardhura me të ulëta për shkak të mos-përmbushjeve të kushteve ligjore për pension të plotë. 

 

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 79.7 miliardë lekë, 11.7 miliardë lekë ose 17.2% më shumë se 7 mujori 2022, si dhe realizim 110.5 % të planit për 7 mujorin 2023.

 

Të ardhurat nga sigurimet këtë vit erdhën më së shumti si pasojë e rritjes së pagës minimale në shkallë vendi në 40 mijë lekë në prill të këtij viti nga 34 mijë lekë që ishte më parë.

 

Në krahun e shpenzimeve presionet po ulen, pasi numri i pensionistëve që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie po rritet me shpejtësi.

 

Të dhënat zyrtare nga instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se në vitin 2022 pensionistët me pagesë të pjesshme përbënë 48% të totalit të personave që përfitojnë pension pleqërie, nga 45% në vitin 2021.

 

Në 2022-shin, në të gjithë vendin numëroheshin 481.420 përfitues të pensionit të pleqërisë, nga të cilët 231.734 morën pagesa të pjesshme.

 

Në njërën anë rritja e pensionistëve me pagesë të pjesshme ka lehtësuar skemën publike të pensioneve nga rritja e shpenzimeve, por nga ana tjetër po krijohet një problem i madh social me qëndrueshmërinë financiare të moshës së tretë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rritja-e-pages-minimale-permiresoi-deficitin-e-skemes-se-pensioneve-ne-7-mujor/


Më të lexuarat