Tatimi i profesioneve te lira, eksperti: Pabarazi, po trajtohen si biznesi i madh
Taksimi i profesioneve të lira duke filluar nga 1 janari i 2024, për ekspertin e çështjeve të punësimit Erald Pashaj thellon pabarazinë mes bizneseve dhe profesionistëve.
“Një profesion i lirë tashmë ka të njëjtat fasha si një biznes i madh, pasi një biznes ka 15% tatim plus 8% dividend që shkon në 23%, ndërsa profesionisti e ka 15-23%.
Po pse njësoj janë këta? Po një të punësuari që i shkon 23%, njësoj është me këta? Këta nuk janë fare njësoj me njëri-tjetrin. Nëse ndryshimet u bënë për një pabarazi të sofistikuar le të bënim një pabarazi më të thjeshtë”, pohon Pashaj.
Pashaj thotë se kjo skemë taksimi nuk do të sjellë përfitime në buxhetin e shtetit pasi për t’iu shmangur detyrimeve nga ligji i ri profesionistët do të ndryshojnë statusin në QKB dhe do kthehen nga të vetëpunësuar në SHPK.
“Duhet të specifikohen se kush janë profesionet e lira, sepse do të kemi tani ndryshime që këto që janë profesione të lira nuk do të quhen më profesione të lira, do i mbyllin dhe do i hapin si biznese të vogla dhe do ti quajnë ndryshe duke u bërë një shpk, dhe do të ofrojë shërbimin që ka ofruar.
I gjithë ky ndryshim i bërë nuk do të sjellë as të ardhura më shumë, do të japë bëj që këta persona të kthehen në biznese të vogla sepse deri në 2029-ën nuk paguajnë taksa, do të sjellë amulli në tregun e punës sepse këta individë do të ndërpresin kontratat e shërbimit etj”, shprehet eksperti për Report TV.
Pashaj thotë se kjo kategori duhej tatuar, por në mënyrë të drejtë dhe të studiuar, në mënyrë që tregu të mos vuaj edhe më shumë për profesionistë.
“Ka ardhur koha për tu bërë një ndryshim, sepse në konceptin tim duhet që të gjithë të paguajnë taksa, sepse si profesionet e lira ashtu edhe bizneset e vogla nuk paguanin asnjë taksë dhe kjo nuk është e drejtë.
Por këto ndryshime që janë bërë në ligj kanë një padrejtësi tjetër të madhe. Tani jo një pjesë e shoqërisë do të vazhdojë të mos paguaj dhe një pjesë do të paguaj.
Këtu ka pabarazi dhe në fund të ditës ne prapë kemi bërë një çorbë tjetër që pas disa kohësh do të përpiqemi prapë që ta rregullojmë. Ne po vuajmë për punonjës të kualifikuar, po vuajmë për doktor, për avokat etj, dhe do të kemi gjithmonë e më shumë vështirësi.
Tani duke ju vendosur këtë taksë ne rastin më të mirë e lëmë situatën siç ishte dhe në rastin normal përkeqësojmë klimën. Ne po na ikin njerëzit çdo ditë dhe po na ikën këta të kualifikuarit do jetë shumë herë më e vështirë”, pohon Pashaj.
Nga 1 janari 2024, janë 16700 profesionistë të lirë që do të bëhen pjesë e sistemit të taksimit progresiv me fasha, ku ata që kanë të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë paguajnë 15% tatim ndërsa ata që marrin më shumë do të paguajnë 23%./Burimi: Shqiptarja.com