Secondary Adv

Bie ne 29.3 per qind vetepunesimi, niveli me i ulet qe nga viti 2015

Në tremujorin e dytë të vitit 2023 të vetë-punësuarit zunë 29.3 për qind të totalit të punësimit.

 

Kjo ishte përqindja më e ulët që nga tremujori i dytë i vitit 2015, sipas të dhënave historike të INSTAT. Vetëpunësimi hyri në një trend rënës që nga 3-mujori i tretë i vitit 2022 kur zinte 32% të totalit.

 

Kjo rënie po tregon ndryshimin e strukturës së punësimit. Prej vitesh qendrat tregtare dhe supermarketet po ushtrojnë presion mbi njësitë e vogla të shitjes me pakicë dhe ato të shërbimeve që njihen zakonisht si ushqimorët dhe kafenetë e lagjeve.

 

Sakaq tregu i punës ka shfaqur ofertë në rritje për punonjës pothuajse në të gjithë sektorët. Mungesa e punonjësve ka ndikuar në rritjen e pagave në sektorin privat vitet e fundit.

 

Ofertat për punësim shpesh tejkalojnë fitimet që vijnë nga njësite vogla të shërbimeve, duke bërë që të ketë një zhvendosje nga vetëpunësimi në punësim me pagë.

 

Vetëpunësimi është ofruesi më i madh i punës në vend, por jo kundrejt pagës. Shumica e atyre që raportohen si të punësuar pa pagë janë zakonisht të vetëpunësuar në bizneset e familjes.

 

Kjo kategori të punësuarish që shpesh strehojnë informalitetin nuk paguajnë sigurime dhe rrezikojnë të krijojnë një plagë sociale në të ardhmen.

 

Numri i të vetë-punësuarve pësoi një rritje artificiale vitet e fundit për të shmangur tatimet nga profesionistët. Shumë të punësuar me paga të larta u regjistruar si biznese të vogla (profesione të lira) për të shmangur tatimet mbi pagën.

 

Por numri i tyre mund të reduktohet sërish pasi përmes ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” nga 1 janari 2024 të vetë-punësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%,

 

por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetë-punësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.

 

Shqipëria ka një nga normat më të larta të vetëpunësimit në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat, vetëpunësimi ka rënë paksa në BE gjatë viteve, nga 10.2% në 2010 në 8.9% në 2021.

 

Vetëpunësimi ishte më i zakonshmi në vendet jashtë BE-së, veçanërisht në Shqipëri (35% e të gjithë punëtorëve) dhe Serbia (16% e të gjithë punëtorëve).

 

Ndër vendet anëtare të BE-së, Greqia (16%), Polonia dhe Italia (të dyja 15%) kishin përqindjet më të larta. Vetëpunësimi i personave të varur ekonomikisht ishte më i zakonshëm në Shqipëri (11%), Kosovë (5%) dhe Serbi (4%).

 

Burimi: Monitor  https://www.monitor.al/frike-nga-tatimi-per-profesionet-e-lira-vetepunesimi-bie-ne-29-3-niveli-me-i-ulet-qe-nga-viti-2015/


Më të lexuarat