Parku ujor Tushemisht-Drilon, 5.2 milione leke per shpronesimet
Këshilli i Ministrave miratoi shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të parkut ujor Tushemisht-Drilon.
Sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen në vlerë të përgjithshme prej 5 233 990 lekësh, fond që do të përballohet nga buxheti i shtetit.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, e cila kryen procedurat për likuidimin e pronarëve.
Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Agjencia pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec për pasuritë e shpronësuara./Burimi: Oranews.al