Secondary Adv

Agjencite imobiliare kerkojne rishikimin e formules per cmimet e references

Agjentët imobiliarë e konsiderojnë të gabuar formulën për llogaritjen e çmimeve të referencës, pasi nuk përfshin amortizimin e pallateve të vjetra apo atyre të ndërtuara në 20 vitet e fundit.

 

Drejtuesit e agjencive kryesore imobiliarë pohuan për Monitor se rishikimi i çmimeve të referencës ishte i domosdoshëm, me qëllim përafrimin me vlerat e tregut. Shqetësuese për ta mbetet mosndryshimi i formulës së llogaritjes, e cila nuk ofron çmim referencial sipas vjetërsisë së pronës.

 

“Mendoj se rritja e çmimit të referencës e rregullon tregun e pasurive të paluajtshme. Gjykoj se shqetësuese te rritja e çmimeve të referencës është që në një zone kadastrale të gjithë objektet marrin të njëjtën vlerë.

 

Në të gjitha prononcimet që kam pasur qoftë edhe me grupet e interesit kemi kërkuar që çmimi i referencës të jetë sipas vjetërsisë së pronës apo sipas logjikës së tregut. Nuk mundet që një pallat i viteve ‘70- ‘80 të ketë po të njëjtën vlerë reference me një pallat të viteve 2020-2022.

 

Dhe në vijim do të jetë vetë tregu që do ta tregojë këtë realitet me apartamente që shiten nën referencën e re të përcaktuar”, thotë Dritan Leka nga agjencia e pasurive të paluajtshme “Century 21 CPM Smart”.

 

Edhe drejtuesi i agjencisë imobiliare “Century 21” z. Jonian Antoni gjykon se formula që në Shqipëri llogaritet referenca është e gabuar, pasi nuk merr parasysh amortizimin e pronës.

 

“Nuk është logjike që një shtëpi e vjetër dhe amortizuar të llogaritet me të njëjtën vlerë reference me një të re të sapondërtuar. Nëse do të ecnim me parime perëndimore ne duhet të kishim në konsiderate edhe amortizimin e pronës.

 

P.sh, një pronë e re në cilëndo zonë apo lagje të Shqipërisë e ndërtuar me parametra të reja do të jetë gjithnjë më cilësore dhe gjithnjë më e shtrenjtë sesa një godinë banime e ndërtuar 15-20 vite më parë.

 

Sipas mendimit tim çmimi i referencës së publikuar duhet të ishte për pronat e reja, dhe pastaj nga çmimi i referencës, kur pronat shiten të reduktohej me një formulë çdo 10 vite 20% e vlerës.

 

Pra nëse blinim një pronë që është ndërtuar 10 deri 20 vite më parë çmimi i referencës llogaritet -20%, nëse blinim një që është ndërtuar 20-30 vite më parë çmimi i referencës do të ishte -40% e kështu me radhë”, veçoi ai.

 

Për drejtuesin e agjencisë imobiliare “Future Home” Fatjon Hysenbelliu vendimi për rritjen e referencave do të sjellë shtrenjtim të çmimeve të apartamenteve. “Nëse do të vazhdohet me ketë ritëm në horizont shoh ngërç dhe rritje çmimesh.

 

Kjo do të ndikojë edhe te ndërtimet e reja që taksa mbi marrjen e lejes në disa zona të Tiranës është dyfishuar, pra referenca do të ketë një ndikim shumë të madhe në rritjen e çmimeve në muajt në vazhdim”.

 

Për këtë arsye ai rekomandon rihapjen e procesit të rivlerësimit të pronave me qëllim amortizimin e kostos për qytetarët me çmimet e reja.

 

Hyrja në fuqi në fund të muajit Korrik të vendimit që rishtonte çmimet e referencës së apartamenteve shkaktoi debate në sektorin e ndërtimit dhe tregun e pasurive të paluajtshme.

 

Çmimet e referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës u rritën nga 5 deri 76%. Përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve kundërshtuan sërish çmimet e reja të referencës.

 

Pas letrës që i dërguan kryeministrit Edi Rama, ata i kërkuan publikisht me herët në një takim të mbajtur me shoqatat e tjera të biznesit rishikimin e çmimeve të reja,

 

pasi siç pohoi kryetari i Bordit drejtues të Shoqatës Erjon Harizi se për shkak të llogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe të strehimit social nëpërmjet çmimeve të referencës kostoja mesatare e ndërtimit rritet 40%.

 

Kryeministri Edi Rama pohoi se çmimet e referencës nuk ndryshojnë, pasi apartamentet në Tiranë po shiten me çmime deri në 5,000 euro për metër katror dhe nga ndërtuesit deklarohen çmime larg së vërtetës. Rama tha se ato nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, por në bazë të tregut.

 

Për shkak të rritjes së taksave nga ndryshimi i çmimeve të referencës drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve paralajmëruan më herët shtrenjtim të çmimeve të apartamenteve nga 150 deri 300 euro për metër katror.


Më të lexuarat