Secondary Adv

BE arrin marreveshjen per reformen e emigracionit

Ambasadorët nga 27 vendet e BE arritën marrëveshjen për reformën e emigracionit në Bruksel pasi Italia dhe Gjermania gjetën një zgjidhje në minutën e fundit, pas konflikteve.

 

Qëllimi i BE-së është që reformat e ngecura prej kohësh të bëhen ligj përpara zgjedhjeve europiane në qershorin e ardhshëm.

 

“Sot kemi arritur një hap të madh përpara në një çështje kritike për të ardhmen e BE,” tha ministri i brendshëm i Spanjës Fernando Grande-Marlaska, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.

 

Nënkryetari i Komisionit Europian Margaritis Schinas e quajti  “hallka e fundit e munguar e planit” dhe u kërkoi shteteve dhe parlamentit të BE që tani të vazhdojnë me negociatat e stërzgjatura për ta bërë atë ligj.

 

“Koha po mbaron”, tha Schinas. “Ne kemi nevojë që plani të miratohet para se europianët të dalin për të votuar.”

 

Cikli i ardhshëm në politikën e BE-së mund të shohë një ndryshim politik në parlament, duke pasur parasysh ngritjen e partive të krahut të djathtë në disa vende të BE-së.

 

Pasi të zbatohet, Pakti i ri për Migracionin dhe Azilin pritet të lehtësojë presionin mbi të ashtuquajturat vende të vijës së parë si Italia dhe Greqia.

 

Vendet që kundërshtojnë pritjen e azilkërkuesve, mes tyre Polonia dhe Hungaria, do t’u kërkohet të paguajnë ata që pranojnë emigrantët./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat