Secondary Adv

FMN permireson parashikimin per ekonomine, cmimet do vijojne te larta

Fondi Monetar Ndërkombëtar në pasqyrën e fundit globale, të sapopublikuar ka rritur ndjeshëm me 1.4 pikë përqindje parashikimin për ecurinë ekonomike të vendit.

 

Sipas raportit të tetorit, ekonomia në vitin 2023 pritet që të zgjerohet me 3.6%. Në raportin e muajit prill, rritja ekonomike për vitin 2023 vlerësohej se do të ishte 2.2%, për tu përshpejtuar në 3.3% në 2024 dhe për të mbetur rreth këtyre niveleve deri në vitin 2028.

 

Për 2024 FMN i qëndron vlerësimeve të prillit, për një rritje prej 3.3% që do të përmirësohet lehtë në 3.5% deri në vitin 2028. Fondi e bëri rishikimin në përputhje me vlerësimet e reja, ku edhe për vitin 2022 rritja rezultoi në 4.8%, nga 3.7% që ishte vlerësimi fillestar.

 

Të dhëna të tjera të INSTAT treguan se në tremujorin e parë dhe të dytë të këtij viti, ekonomia vendase u rrit përkatësisht me 2.83% dhe 3.23%, e nxitur kryesisht nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.

 

Rritja pritet të përshpejtohet në muajt në vijim, e nxitur dhe nga ecuria e mirë e turizmit. Për vitin 2023, rritjen më të larta në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me 4.5%, e ndjekur nga Kosova me 3.8%, Shqipëria, Maqedonia e Veriut me 2.5% dhe Serbia e Bosnjë Hercegovina me 2%.

 

Fondi pret që inflacioni mesatar këtë vit te jetë 3.8%. Në raportin e prillit, inflacioni mesatar pritej në 3.9%.

 

Por, ndryshe nga raporti i prillit, kur pritej që inflacioni të kthehej në 3%, që është dhe objektivi i shënjestruar i bankës së Shqipërisë në vitin 2024, në vlerësimin e tetorit inflacioni pritet të mbetet mbi këtë objektiv dhe në 2024, duke u parashikuar mesatarisht në 3.6%.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fmn-permireson-parashikimin-per-rritjen-ekonomike-te-shqiperise-ne-3-6-cmimet-do-te-vijojne-te-larta/


Më të lexuarat