Sindikatat leter institucioneve: Te respektohet Kodi i Punes, ose protesta
Mungesa e fuqisë punëtore, pagat e ulëta në sektorin privat por dhe mospërcaktimi e minimumit jetik janë problematikat që u adresuan nga sindikatat e bizneseve në vend.
Në një deklaratë drejtuar institucioneve kërkojnë masa edhe për sektorin privat, i cili respekton pjesërisht Kodin e Punës. “Nuk ka një praktikë të konsoliduar të negocimit të vazhdueshëm të pagave në Shqipëri.
Arsyeja kryesore e emigracionit në vend janë mosrespektimi I kushteve të punës. Kush do punonte kur ke një pagë minimale që s’të mjafton, siguria në punë mungon e të tjera”.
Sektori “call center”, dikur oazi i fuqisë punëtore, ngre problematikën e mungesës së punonjësve. Edhe ky sektor është prekur nga emigrimi.
“Ka mungesë të theksuar sidomos në fushata e italishtfolëse. Kompanitë vet nuk përpiqen të mbajnë në punë punonjësit e vjetër, por e kanë më të lehtë të paguajnë një të ri me pagë më të ulët“, tha Ilir Xhemalaj, sindikata kombëtare e operatorëve telefonik.
Për të tjerë sektorë mungesa e një rregullatori detyrues për pagat dinjitoze në sektorin privat, ka sjellë si pasojë largim të punonjësve. “Pagat në këtë sektor lënë për të dëshiruar. Ngelet problem pagat në sektorin privat.
Gjithashtu dhe çështja e sigurisë lënë për të dëshiruar për këtë sektor të vështirë, aksidentet në punë, mungesa e infrastrukturës e të tjerë”, tha Dritan Shahu, kryetar i shoqatës së hidrokarbureve.
Pavarësisht ankesave në rritje, përfaqësues nga inspektoriati i punës shprehen se këto problematika nuk raportohen siç duhet nga punonjësit, për shkak të presionit të largimit nga vendi i punës.
Në Ditës ndërkombëtare të Punës së Denjë, sindikatat së bashku lajmërojnë tubime në rast se nuk merren parasysh kërkesat e drejtuara institucioneve./Burimi: A2CNN