Secondary Adv

Hipotekat, ndryshon procedura e regjistrimit te tokave

Ndryshon procedura për regjistrimin e tokave. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar se procedura e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, hartimi i planvendosjes së ngastrave për regjistrim apo korrigjimi dhe saktësimi i tyre do të kryhen me shpenzimet e bashkive nëpërmjet topografëve të vet. Ndryshimi ligjor prek vendimin nr. 994, datë 9.12.2015 për procedurën e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi.


Sipas tij, në regjistrimin e fitimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, me aktin e marrjes së tokës në pronësi, në vijim të AMTP-së pasqyrohen elementet e formës dhe përmbajtjes, të cilat janë emri dhe mbiemri i përfituesit apo të përfaqësuesit të familjes bujqësore, përfituesit të tokës bujqësore, identifikimi i organit që e ka lëshuar AMTP-në, që përfaqësohet nga kryetari i komisionit të ndarjes së tokës, për aktet e lëshuara deri në 15.8.2008, ose nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, për AMTP-të e lëshuara në zbatim të ligjeve nr. 9948, datë 7.7.2008, të ndryshuar, nr. 57/2012 dhe nr. 171/ 2014.


Në dokument pasqyrohen të dhënat identifikuese të pasurisë, të dhëna në pronësi: ku detyruese janë numri kadastral apo toponimi i ngastrës, sipërfaqja dhe lloji i tokës bujqësore. Për rastet kur pasuria e përfituar me AMTP, në kohën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, figuron e regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe pasuria nuk figuron në pronësi të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore, si pasojë e transaksionit të realizuar me të tretë, ose e shpronësimit të kryer për interes publik, me përjashtim të kalimit të pronësisë nëpërmjet akteve të trashëgimisë, e reflektuar kjo në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të tretët nuk ndalohen të kryejnë veprime, me përjashtim të rastit kur kjo pasuri krijon mbivendosje me një pasuri tjetër të paluajtshme, e cila nuk rrjedh nga e njëjta origjinë.


Ndërsa kur pasuria e fituar me AMTP figuron ende në pronësi të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore ose trashëgimtarëve të tij, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në rastet e trajtimit të kërkesave për shërbim të subjekteve të ndryshme verifikojnë ligjshmërinë e regjistrimit të kryer dhe veprojnë nëse rezulton se regjistrimi është kryer në përputhje me ligjin, atëherë vijohet me realizimin e shërbimit të aplikuar.


Rregullimi i sipërfaqeve
Kur sipërfaqja e të gjitha pasurive, të dhëna me AMTPnë, del e ndryshme nga sipërfaqja e regjistrimit fillestar të këtyre pasurive, e pasqyruar në kartelat e tyre, ZVRPP-ja brenda dy ditëve pune nga data e konstatimit vë në dijeni mbajtësin e parë të titullit të pronësisë dhe bashkinë për të bërë saktësimin e planvendosjes, sipas sipërfaqes së çdo pasurie të dhënë me AMTP. Në këtë rast, bashkia konfirmon planvendosjen dhe e përcjell atë brenda 15 ditëve pranë ZVRPP-së, shoqëruar me relacionin përkatës dhe deklaratën noteriale të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë, ku shprehet se ai është dakord me saktësimin e bërë. Në rast se sipërfaqja e të gjitha pasurive të dhëna me AMTP del më e madhe se sipërfaqja e regjistrimit fillestar të tyre, e pasqyruar në kartelat respektive, zyra vendore e regjistrimit vijon me realizimin e shërbimit të aplikuar, sipas të dhënave të AMTP-së.


Në rast se sipërfaqja e të gjitha pasurive, të dhëna me AMTP, del më e vogël se sipërfaqja e regjistrimit fillestar të tyre, e pasqyruar në kartelat respektive, zyra vendore e regjistrimit vijon me realizimin e shërbimit të aplikuar, por sipërfaqja e tepërt i zbritet vetëm njërës prej pasurive, sipas deklaratës së përfituesit të AMTP-së. Nëse mbajtësi i parë i titullit të pronësisë nuk dorëzon deklaratën noteriale, që është dakord me saktësimin e bërë dhe ZVRPP-ja ka lëshuar më parë certifikatën e pronësisë për këtë pasuri të paluajtshme, regjistruesi bën shënimin në kartelën e pasurisë për mospërputhjen ndërmjet sipërfaqes së përcaktuar në AMTP dhe sipërfaqes sipas hartës kadastrale.


Më të lexuarat