Secondary Adv

Tre tarifa te reja per bursen e energjise, ERE nis proceduren

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurën për rishikimin e tarifave që aplikohen nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, ALPEX.

 

Hapja e procedurës erdhi pas kërkesës së ALPEX, që synon aplikimin e tarifave shtesë për anëtarët e saj.

 

Referuar dokumentit, përveç 13 tarifave ekzistuese kërkohet aplikimi i tarifave për tregtimin në emër të dikujt tjetër, për përdorimin e aplikacionit të bursës, si dhe tarifa për certifikatën digjitale për përdorues.

 

Sipas listës, ALPEX propozon aplikimin e tarifave prej 20 euro për çdo urdhërporosi për tregtimin në emër të dikujt tjetër, 2000 euro në vit për përdorimin e aplikacionit dhe 50 euro në vit për certifikatën dixhitale.

 

Ndërkaq, në propozimin e ri është hequr tarifa variabël e klerimit prej 0,015 euro/ mWh për kontratat dypalëshe – Over the Counter (OTC).

 

ALPEX e argumenton aplikimin e tarifave të reja, me nevojën për krijimin e të ardhurave shtesë, me qëllim përmirësimin e situatës së vet financiare ose për të akomoduar kërkesat për ndryshim nga anëtarët e bursës.

 

Sipas ALPEX, tregu i energjisë ka ndryshuar me prezencën e më shumë aktorëve të rinj dhe priten të tjerë aktorë, duke sjellë kompleksitet më të madh, që përfshin prezantimin e tregjeve të tjera rajonale, rritje më të shpejtë të burimeve të rinovueshme dhe zhvillimin e teknologjisë në tërësi.

 

Gjithsesi, do të jetë Enti Rregullator i Energjisë që do të vendosë nëse këto tarifa do të aplikohen, si dhe nivelin për secilën prej tyre./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat