
Diskriminim gjinor, zhveshja e grave nga pronat. Pse favorizohen meshkujt e familjes?
Në të gjithë vendin zbatohet zakoni i zhveshjes së grave nga pronat që trashëgojnë nga prindërit e tyre, në favor të anëtarëve meshkuj të familjes së origjinës. Jo rrallëherë janë përdorur deklarata noteriale për heqje dorë nga pasuria e trashëguar, ose kontrata dhurimi.
Promovimi i pjesëmarrjes së barabartë në ekonomi të femrave është një ndër çështjet që organizata të ndryshme botërore kanë pasur në fokus për të gjithë shtetet në zhvillim. Kjo pjesëmarrje e barabartë nuk përfshin vetëm qasjen e njëjtë në tregun e punës dhe biznesit, por edhe garantimin e së drejtës së pronës, trashëgimisë, pasurisë.Në shoqëri patriarkale prej vitesh, si e jona, ku pavarësisht përparimeve, ende mund të gjenden zona që të zbatojnë ligje sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe familje që pasurinë ta ndajnë vetëm mes meshkujve.
Aurela Anastasi, eksperte e Kushtetueses dhe avokate, tregon se në të gjithë vendin zbatohet zakoni i zhveshjes së grave nga pronat që trashëgojnë nga prindërit e tyre, në favor të anëtarëve meshkuj të familjes së origjinës. Ajo pohon se jo rrallëherë janë përdorur deklarata noteriale për heqje dorë nga pasuria e trashëguar, ose kontrata dhurimi.Forumi Ekonomik Ndërkombëtar, në raportin e vitit 2015, tregon se Shqipëria gjendet e 70-a në listë globale për hendekun gjinor. Pavarësisht se, duke e krahasuar me raportin e një viti më parë, kemi përmirësuar 13 vende, përballë shteteve të rajonit, shqiptarët nuk i “trajtojnë” femrat aq mirë. Serbia është 25 shkallë mbi vendin tonë, Maqedonia e 69-a, i vetmi shtet që lëmë pas është Mali i Zi, i cili renditet 9 shkallë poshtë nesh. Ndonëse raporti tregon se ballkanaset janë të diskriminuara nga punëdhënësit dhe shpesh viktima të një kulture me stereotipe, që lejon dhunën në familje, hulumtuesit pohojnë se barazia gjinore po përmirësohet çdo ditë, pa lënë mënjanë edhe realitetet regresive.
Sipas raportit të fundit të Kombeve të Bashkuara, në programin e saj deri në vitin 2030, synohet të sigurohet se të gjithë femrat, sidomos ato të varfra dhe vulnerabël, kanë të njëjtat të drejta me meshkujt në qasjet ekonomike, aksesin në shërbimet bazë, pronësinë, kontrollin mbi tokën dhe trashëgiminë.
Ndërsa Instituti i Statistikave, në raportin e vitit 2014, tregon se femrat kanë mesatarisht rreth 1,3 vite më shumë arsim në krahasim me meshkujt, por pavarësisht kësaj, ato marrin paga mesatarisht një të pestën (20%) më të ulëta dhe hendeku gjinor i pagave duket se po rritet. Një tjetër raport i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2014, në bashkëpunim me FAO, tregon se femrat në Shqipëri zotërojnë më pak se 25% të pronës.
Aurela Anastasi, njëkohësisht drejtuese e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, tregon se mohimet më të mëdha për të drejtat e grave në pasuri, kanë ardhur në të drejtën e trashëgimisë. Sipas saj, arsyet janë disa: duke nisur nga moskuptimi i drejtë i prezumimit ligjor, nga ngërç që haset në rastet e hapjes së trashëgimisë ligjore dhe mungesa e fuqisë ekonomike për të ndjekur seanca të gjata gjyqësore. Nga ana tjetër, ekspertja vlerëson se edhe stereotipat gjinore që ende ekzistojnë në shoqërinë tonë i privojnë këto të drejta, ose i detyrojnë femrat që të heqin dorë nga trashëgimia e tyre (apo pronësia).
Flet Aurela Anastasi, drejtuese e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare
“Hendeku gjinor, shkak për privimin e të drejtave të grave në pronësi”.A kemi ngërç në ligjin shqiptar që t’u garantojë femrave të drejtën e pronës përmes trashëgimisë?Nga moskuptimi i drejtë i prezumimit ligjor, mohimet më të mëdha për të drejtat e grave, kanë ardhur në të drejtën e trashëgimisë. Një ngërç krijohet në rastin e çeljes së trashëgimisë ligjore. Nga praktika e deritanishme, si atëherë kur dëshmitë e trashëgimisë çeleshin nga gjykata, ashtu edhe tani që çelen nga noteri, arrijmë në konkluzionin se trashëgimia ligjore disponohet tërësisht mbi bazën e titullit të trashëgimlënësit. Pasuria në emër të trashëgimlënësit ndahet në emër të të gjithë trashëgimtarëve dhe ashtu bëhet regjistrimi në Zyrën përkatëse. Për rrjedhojë, bashkëshortja ka humbur gjysmën e pasurisë që i takon mbi bazën e prezumimit ligjor. Pra, padrejtësisht është barazuar me fëmijët në pronën që ka trashëguar nga bashkëshorti. Është e vërtetë se, ligji e lejon kundërshtimin e dëshmisë së trashëgimisë nga persona që pretendojnë të jenë pronarë, por kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast me bashkëshortet pasjetuese.
Cila është zgjidhja që mund të ofrohet në këtë rast?
Nuk mund të jetë gjykata zgjidhja që duhet të rekomandohet në këtë rast, por rishikimi i legjislacionit për të garantuar barazinë gjinore në ligj. Duke pasur parasysh këto probleme që lindin, jo vetëm në këndvështrimin formal, por edhe në atë thelbësor, sugjerohet që avokati të jetë shumë i kujdesshëm me çështjet që ndjek.
Duhet që të këshillojë femrat për disa pika si më poshtë:
1. Bashkëshortit/es, i cili pas vdekjes së bashkëshortit tjetër kërkon lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë përpara noterit, i njoftohet e drejta që ka për të kërkuar nga noteri dhe nga nëpunësi/regjistrues i pasurive të paluajtshme, të mos disponohet në dëshminë e trashëgimisë pasuria që, në bazë të prezumimit ligjor të bashkëpronësisë mbi pasurinë e vënë gjatë martesës, i takon bashkëshortit pasjetues.
2. T’i njoftohet klientes e drejta që ka për të kundërshtuar lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë.
3. Të ndiqet regjistrimi i pronave të fituara me trashëgim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nga avokati dhe, të kërkohet përfshirja në pjesën e bashkëshortes e pronës që i takon nga prezumimi ligjor i bashkëpronësisë.
Po të drejtat e pronës në përgjithësi, sa zbatohet vendimi për përfitimin e tyre nga pronaret femra?
Në përgjithësi, pasuria e paluajtshme kontraktohet dhe regjistrohet në emër të bashkëshortit, ndërkohë që bashkëshortja nuk është titullare e pronësisë. Ky kufizim gjinor, ka sjellë privime të mëdha në aksesin dhe gëzimin e pronës bashkëshortore, në mënyrë të veçantë nga gratë.Mohimet më të mëdha kanë ardhur në të drejtat e trashëgimisë. Duke mos pasur titull bashkëpronësie, ato e kanë pasur të pamundur të disponojnë me vullnetin e tyre një testament. Prezumimi ligjor i bashkëpronësisë nuk është konsideruar i mjaftueshëm për këtë. Por, më i rëndë paraqitet fakti se, ato kanë humbur dhe humbasin në mënyrë të konsiderueshme edhe pronë, pasi trashëgimia ligjore disponohet tërësisht mbi bazën e titullit të trashëgimlënësit. Për rrjedhojë, bashkëshortja ka humbur gjysmën e pasurisë që e disponon mbi bazën e prezumimit ligjor dhe padrejtësisht, është barazuar me fëmijët në pronën që ka trashëguar nga bashkëshorti.
Mohim i plotë i të drejtave për gratë është shkaktuar gjatë marrjes së kredive bankare, ku ato nuk mund të paraqiten si huamarrëse, por vetëm si plotësuese të vullnetit të bashkëshortit të tyre në kontratat e dorëzanisë. Në këtë aspekt, ka pasur raste kur gruaja firmoste kontratat kredimarrëse të bashkëshortit, pa qenë ajo e ndërgjegjshme për pasojat që vijnë nga mosrespektimi i saj. Nuk kanë munguar edhe rastet kur bashkëshortja është anashkaluar, duke mos u thirrur për të firmosur. Disa mohime kanë ardhur edhe në rastet e administrimit të shërbimeve. Bashkëshorti, si kryefamiljar, ka disponuar kontratat e furnizimit me energji elektrike dhe me qira. Për më tepër, kanë rezultuar raste kur bashkëshortja e ka pasur të pamundur të lidhë një kontratë të tillë në emër të saj, edhe pse ajo ka pasur aftësi paguese.
Në të gjithë vendin zbatohet zakoni i zhveshjes së grave nga pronat që trashëgojnë nga prindërit e tyre, në favor të anëtarëve meshkuj të familjes së origjinës. Janë përdorur deklarata noteriale për heqje dorë nga pasuria e trashëguar, ose kontrata dhurimi.
A ka probleme me ndarjen e pasurisë bashkëshortore në vendin tonë?
Për shkak të regjistrimit të të gjitha pronave të paluajtshme bashkëshortore në emër të bashkëshortit, me cilësinë e kryefamiljarit, këta të fundit janë shndërruar në titullarë të pronave të përbashkëta, duke sjellë vështirësi në sjelljen e bashkëshorteve si bashkëpronare.
Nga një monitorim i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, me objekt “Pjesëtim i pasurisë bashkëshortore” janë konstatuar disa prirje:
1. Ka një numër relativisht të pakët të kërkesave për pjesëtim të pasurisë bashkëshortore, në raport me numrin e zgjidhjeve të martesave, gjë e cila mund të shpjegohet me disa shkaqe. Midis tyre spikat pafuqia ekonomike dhe morale e gruas për të kërkuar këto të drejta. Kështu, për shembull, gjatë periudhës objekt monitorimi2011-2012, prej 18 muajsh gjejmë se, ndërkohë që në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë janë dhënë mbi 1000 vendime për zgjidhjen e martesave, vetëm 54 vendime janë dhënë për pjesëtimin e pasurisë bashkëshortore, shumica e të cilave kanë përfunduar me pushimin e gjykimit.
2. Pjesa më e madhe e kërkesave me këtë objekt paraqiten nga bashkëshortet, çka shpjegohet më tepër me faktin që ato nuk janë poseduese të pronës. Kështu, për shembull, nga 54 vendimet e mësipërme rezulton se, 37 prej kërkesave që kanë vënë në lëvizje gjykatën apo 69% e tyre, janë paraqitur nga ish-bashkëshortja, kurse pjesa tjetër e kërkesave janë paraqitur nga ish-bashkëshorti.
3. Mbi 60% e kërkesave të paraqitura përfundojnë me pushimin e gjykimit, për shkak të mosparaqitjes së paditësit/es. Kjo tendencë mund të ketë arsye të ndryshme, por njëra prej tyre lidhet me procedurat e gjata dhe të kushtueshme të këtyre gjykimeve.
Çfarë u rekomandoni femrave në Shqipëri të përfshira në çështje të tilla, që të garantojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre pronësore?
Dua të sjell edhe një herë në vëmendje rolin e rëndësishëm që ka avokati për mbështetjen e grave, me qëllim respektimin e të drejtave të tyre pronësore. Kjo mbështetje është një mision i rëndësishëm për shkak se, sikurse u shpjegua, një sërë stereotipash gjinorë në shoqëri janë bërë shkak për privimin e të drejtave të grave në fushën e pronësisë, gjë që i bën ato në masë dërrmuese të paafta ekonomikisht. Por edhe vetë femrat duhet të jenë më të ndërgjegjshme për të drejtat e tyre dhe t’i mbrojnë ato.
Ndaj do të rekomandoja:
1. Nevoja për trajnimin e avokatëve, me qëllim njohjen e kërkesave të parimit të barazisë gjinore dhe të mosdiskriminimit për shkak të gjinisë, si dhe mënyrës se si ai gërshetohet në praktikë me të drejtat e pronësisë.
2. Rritja e kërkimit ligjor dhe e efektivitetit në përzgjedhjen e mjeteve ligjore për zgjidhjen e konfliktit, në përputhje me parimin e barazisë gjinore dhe të mosdiskriminimit për shkak të gjinisë.
3. Përmirësimi i konsultimit të avokatëve me klientin/en, për pasojat që do të vijnë nga pikëpamja e barazisë gjinore, gjatë zbatimit të mjeteve që parashikon ligji.
4. Përmirësimi i nivelit të përfaqësimit të klientit/es në organet administrative për zgjidhjen administrativisht të çështjes (ZRPP, ZVRPP, Komisioneri kundër diskriminimit etj.).
5. Përmirësimi i nivelit të përfaqësimit të klientit/es në gjykatë, përfshirë të tria nivelet e gjyqësorit, për njohjen e të drejtave të pronësisë dhe sidomos për pjesëtimin e pasurisë, etj.
6. Përmirësimi i kuadrit ligjor, në mënyrë që të garantohet gëzimi i pronës së përbashkët bashkëshortore.
Qasja jo e barabartë e femrave shqiptare në të drejtën e pronësisë
Pasuria e paluajtshme kontraktohet dhe regjistrohet në emër të bashkëshortit, ndërkohë që bashkëshortja nuk është titullare e pronësisë. Ky kufizim gjinor, ka sjellë privime të mëdha në aksesin dhe gëzimin e pronës bashkëshortore, në mënyrë të veçantë nga gratë.
Mohimet më të mëdha kanë ardhur në të drejtat e trashëgimisë. Duke mos pasur titull bashkëpronësie, ato e kanë pasur të pamundur të disponojnë me vullnetin e tyre një testament. Prezumimi ligjor i bashkëpronësisë nuk është konsideruar i mjaftueshëm për këtë. Por, më i rëndë paraqitet fakti se, ato kanë humbur dhe humbasin në mënyrë të konsiderueshme edhe pronën, pasi trashëgimia ligjore disponohet tërësisht mbi bazën e titullit të trashëgimlënësit. Për rrjedhojë, bashkëshortja ka humbur gjysmën e pasurisë që e disponon mbi bazën e prezumimit ligjor dhe padrejtësisht, është barazuar me fëmijët në pronën që ka trashëguar nga bashkëshorti.
Mohimi i plotë i të drejtave për gratë është shkaktuar gjatë marrjes së kredive bankare, ku ato nuk mund të paraqiten si huamarrëse, por vetëm si plotësuese të vullnetit të bashkëshortit të tyre në kontratat e dorëzanisë. Në këtë aspekt, ka pasur raste kur gruaja firmoste kontratat kredimarrëse të bashkëshortit, pa qenë ajo e ndërgjegjshme për pasojat që vijnë nga mosrespektimi i saj. Nuk kanë munguar edhe rastet kur bashkëshortja është anashkaluar, duke mos u thirrur për të firmosur.
Disa mohime kanë ardhur edhe në rastet e administrimit të shërbimeve. Bashkëshorti, si kryefamiljar, ka disponuar kontratat e furnizimit me energji elektrike dhe me qira. Për më tepër, kanë rezultuar raste kur bashkëshortja e ka pasur të pamundur të lidhë një kontratë të tillë në emër të saj, edhe pse ajo ka pasur aftësi paguese.Në të gjithë vendin zbatohet zakoni i zhveshjes së grave nga pronat që trashëgojnë nga prindërit e tyre, në favor të anëtarëve meshkuj të familjes së origjinës. Janë përdorur deklarata noteriale për heqje dorë nga pasuria e trashëguar, ose kontrata dhurimi.
Më të lexuarat








