ARK: Tenderat e rrugeve, te permiresohen procedurat
Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Autoritetit Kombëtar Rrugor të përmirësojë procedurat e tenderimit, për të rritur konkurrencën dhe për të shtuar numrin e firmave të interesuara për pjesëmarrje.
Rekomandimet janë dhënë në përfundim të hetimit lidhur me një prokurim të kryer nga Autoriteti Rrugor për rifreskimin e sinjalistikës në akset kombëtare dhe përmirësimin e sigurisë rrugore.Nga hetimi nuk janë evidentuar marrëveshje të ndaluara apo shkelje të tjera të ligjit, megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka dalë me disa rekomandime, mbështetur në gjetjet e hetimit.
Autoriteti rekomandon që të zvogëlohet madhësia e loteve, për të rritur mundësinë e pjesëmarrjes së sa më shumë operatorëve në proceset e prokurimeve. Gjithashtu, rekomandohet që të shmanget sa më shume të jetë e mundur bashkimi i operatorëve, si një faktor që rrit mundësinë e bashkëpunimit afatgjatë në dëm të konkurrencës.Një tjetër element që do të favorizonte konkurrencën do të ishte përcaktimi i afateve kohorë të përshtatshëm për përgatitjen e ofertave, në përputhje me natyrën e objektit të prokurimit dhe vlerën e kontratës që do të prokurohet, në veçanti kur në pjesëmarrje mund të përfshihen sedhe operatorë të huaj.