Informaliteti ne turizem, 1.9 mln te huaj ne gusht, vetem 306 mije ne hotele
Bumi i madh turistik që përjetoi Shqipëria këtë vit, evidentoi edhe më shumë informalitetin e lartë që ka në sektor.
INSTAT raporton se vetëm në muajin gusht në strukturat akomoduese në Shqipëri janë regjistruar mbi 306 mijë (306.987) shtetas të huaj, nga 187.553 mijë që ishte numri vjet.
Numri i netëve të qëndrimit sipas INSTAT ka qenë mbi 1 milionë, ose mesatarisht çdo shtetas jo rezident në Shqipëri ka kaluar 3.3 net në hotele, bujtina, resorte shqiptare etj. (1,014,164 net qëndrimi / 306,987 shtetas jo rezident=3.3... net secili person)
Mirëpo vetëm në muajin gusht në Shqipëri kanë hyrë për pushime 1.9 milionë (1.906.761) të huaj. Pyetja që ngrihet është se ku janë akomoduar afërsisht 1.5 milionë (1,599,774) shtetas jo-rezident?
Operatorët e sektorët e turizmit, tregojnë 3 arsye se përse përballemi me këto shifra. Së pari, theksohet se pjesë e shtetasve, mund të jenë edhe shqiptar me pasaportë të huaj, shifër që nuk saktësohet nga INSTAT, dhe që akomodohen tek të afërmit ose shtëpitë e tyre.
Së dyti, strukturat akomoduese edhe pse janë të licencuara nuk kanë deklaruar numrin e sakte të vizitorëve që kanë pasur. Kjo për shkak se strukturat akomoduese vijojnë të deklarojnë shfrytëzim të kapaciteteve 55-65%, edhe pse numri i turistëve është shumë më i lartë se vjet.
Dhe, së treti një pjesë prej tyre janë akomoduar në njësitë informale, që japin dhoma, apartamente, vila apo shtëpi me qira edhe pse nuk janë të certifikuara si struktura akomoduese.
Sipas Ministrisë së Turizmit, janë 28 mijë struktura akomoduese që ushtrojnë aktivitetin të pa licencuara dhe që japin me qira dhoma, apartamente e jo vetëm në AirBnB dhe në Booking.
Për shkak të informalitetit të lartë që ka ky sektor, buxheti i shtetit nuk arrin të përfitojë aq sa realisht është xhiroja e kësaj industrie, si dhe kontributi në rritjen ekonomike vijon të jetë i vogël.
Për të luftuar evazionin qeveria po ndryshon projektligjin e turizmit, ku theksohet se nga dhomat e thjeshta deri tek vilat që akomodojnë pushues përmes AirBNB apo Booking dhe nuk kanë një licencë, do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe do të futen në sistemin e deklarimit dhe të taksimit./Burimi: Shqiptarja.com