Secondary Adv

Bankat lehtesuan standardet e kreditimit per individet ne tremujorin e trete

Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e tretë të vitit.

 

Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues nga Banka e Shqipërisë, lehtësimi i standardeve u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në ato konsumatore.

 

Faktorët kryesorë që mbështetën lehtësimin e standardeve të kreditimit për individët ishin trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike aktuale dhe pritjet për të, si edhe zhvillimet e pritura në tregun e banesave.

 

Faktori i vetëm me ndikim negativ mbi standardet e kreditimit u raportua perceptimi i rrezikut lidhur me kolateralin. Megjithatë, sipas vrojtimit, shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rënie në tremujorin e tretë.

 

Raporti më i lartë i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit kryesisht nga faktorët që reflektojnë historikun e kreditit për individët, të tillë si historiku i marrëdhënieve me bankën dhe i regjistrit të kredive.

 

Po ashtu, të ardhurat e disponueshme u raportuan si faktor që solli rritjen e shkallës së refuzimeve për kredi të individëve në këtë tremujor.

 

Ndërkohë, kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e tretë, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore.

 

Kërkesa më e lartë për financim në blerjen e banesave, si edhe në financimin e konsumit ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor.

 

Në drejtim të kundërt me to ndikuan zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave; niveli i përgjithshëm i normave të interesit; si edhe përdorimi i burimeve të brendshme të financimit.

 

Në segmentin e bizneseve, kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja të bizneseve mbetën kryesisht të pandryshuara në tremujorin e tretë.

 

Megjithatë, bankat raportuan marzhe më të larta, kryesisht mbi kreditë me rrezik, shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë të nënshkruara me bizneset, si edhe reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve.

 

Elementet e tjera joçmim u raportuan të pandryshuara. Në kahun lehtësues të kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset ndikuan shtimi i trysnisë nga konkurrenca, si edhe kostot e kufizimet më të ulëta nga bilanci.

 

Në kahun shtrëngues ndikuan perceptimi i bankave lidhur me rrezikun dhe toleranca më e ulët e tyre kundrejt këtij rreziku. Edhe kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje edhe në tremujorin e tretë.

 

Kërkesë e lartë për kredi u raportua si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.

 

Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta në financimin e investimeve dhe të inventarëve e kapitalit qarkullues, si edhe në rifinancimin e kredive ekzistuese.

 

Po ashtu, niveli i lartë i besimit të biznesit u raportua si faktor që mbështeti zgjerimin e kërkesës për kredi.

 

Nga ana tjetër, përdorimi i burimeve të brendshme të financimit, niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si edhe situata ekonomike në vend e perspektiva për të, u raportuan si faktorë që kanë dekurajuar kërkesën për kredi të bizneseve në tremujorin e tretë

 

Kërkesa për kredi e bizneseve pritet të jetë e lartë në tremujorin e fundit të vitit 2023, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në mbulimin e nevojave për likuiditete.

 

Në terma të madhësisë së biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë po ashtu e lartë, si në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në segmentin e biznesit të madh.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/standardet-e-kreditimit-per-individet-u-lehtesuan-ne-tremujorin-e-trete/


Më të lexuarat