Secondary Adv

Forcimi i Lekut solli rritje te investimeve te huaja direkte

Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor po rrit edhe vlerën e Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i Investimeve të Huaja Direkte në vend në mesin e këtij viti arriti në 12.38 miliardë euro.

 

Stoku i Investimeve të Huaja Direkte është rritur me 11.9% ose rreth 1.3 miliardë euro që nga fillimi i vitit. Rritja e stokut të investimeve direkte gjatë periudhës është ndjeshme më e lartë krahasuar me flukset e reja të këtyre investimeve. 

 

Gjithmonë duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 686 milionë euro. Flukset e reja të investimeve të huaja direkte janë afërsisht sa gjysma e rritjes së stokut për të njëjtën periudhë.

 

Në pamje të parë, këto shifra përfaqësojnë një paradoks, por, sipas shpjegimeve të Bankës së Shqipërisë, kjo diferencë lidhet me metodologji të ndryshme që përdoren në matjen e flukseve të reja dhe stokut të investimeve të huaja direkte. 

 

Mbështetur në disa shpjegime zyrtare që Banka e Shqipërisë ka dhënë për NAREA (Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme), bazuar në metodologjitë ndërkombëtare, flukset vlerësohen me kursin e këmbimit mesatar të periudhës, ndërkohë që stoku vlerësohet me kursin e ditës së fundit të periudhës, në këtë rast kursi i datës 30 qershor 2023.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, ndryshimet në stok nuk kanë ardhur domosdoshmërisht vetëm nga flukset, por në ecurinë e stokut duhet llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera.

 

Kjo nënkupton se stoku i investimeve të huaja rivlerësohet në mënyrë periodike, duke reflektuar edhe ndryshimin e çmimit të aseteve. 

 

Në vitet e fundit, Leku ka ndjekur një tendencë mbiçmuese në kursin e këmbimit me valutat e huaja, kryesisht me Euron. Por, këtë vit, mbiçmimi i Lekut është shpejtuar ndjeshëm.

 

Aktualisht, kursi i këmbimit Euro-Lek paraqitet në rënie vjetore me afërsisht 10%, ndërsa në momentin më të ulët, në muajin korrik të këtij viti, rënia e kursit arriti në 14%. 

 

Kursi i këmbimit në fakt ndikon jo vetëm stokun, por edhe flukset e reja të investimeve të huaja direkte.

 

Ndërkohë që investimet e reja të huaja në përgjithësi vijnë në valutë, fitimet e riinvestuara të kompanive të huaja janë shifra të raportuara në Lekë, që konvertohen në Euro, që është edhe monedha në të cilin raportohet për qëllime statistikash Bilanci i Pagesave.

 

Rritja e ndjeshme e peshës së fitimeve të riinvestuara në strukturën e Investimeve të Huaja Direkte mund të shpjegohet pjesërisht edhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit. Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e Investimeve të Huaja Direkte.

 

Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 376 milionë euro, pothuajse 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Fitimet e riinvestuara përbënin 55% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2023. Këto të dhëna tregojnë se vlerat rekord të investimeve të huaja direkte në dy vitet e fundit mund të shpjegohen pjesërisht edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/forcimi-i-lekut-ka-rritur-edhe-investimet-e-huaja-direkte/


Më të lexuarat