Tjeter takse per hotelet, Kumbaro: Bizneset do taksohen per cdo rezervim
Hotelet dhe strukturat akomoduese në vend do të paguajnë edhe një tjetër taksë për çdo turist që kalon një natë aty.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha pas mbledhjes së Qeverisë se kjo taksë do u shkojë bashkive dhe po punohet për formalizimin e kësaj nisme përmes dixhitalizimit.
“Kemi filluar ndryshimet në projektligjin e turizmit, që është ende në fazë konsultimi edhe këtë javë që flasim. Përfitoj nga ky moment komunikimi me publikun dhe sektorin e biznesit që ta lexojnë e të japin sugjerimet e tyre.
Më duhet të pranoj se jo vetëm në sektorin e hotelerisë, por edhe të operatorë turistikë detarë viti 2023 ka shënuar një përmirësim në dimensione 70-80%.
Në vitin 2021 kishim vetëm 11 operatorë turistikë detarë të certifikuar sot kemi mbi 100 të tillë kjo si pasojë e kontrollit shumë të fortë që është ushtruar ndaj tyre nga Ministria e Turizmit dhe Policia e Shtetit dhe ka sjellë jo vetëm formalizim, por edhe një siguri më të lartë të turizmit detar.
Po punojmë për një metodologji të re të sistemit të statistikave në turizëm, që do të jetë gati në 2024.
Për herë të parë ajo ta radhit Shqipërinë në vendet me sukses në turizëm jo thjesht për nga fluksi i turistëve, numri, ndërtimet, nga aktivitetet dhe diversifikimi i ofertës, por edhe për nga instrumentet ligjorë me të cilët ne e rregullojmë këtë territor.
Të gjitha hotelet e strukturat akomoduese duhet t’ia paguajnë këtë taksë bashkive për çdo turist që kalon një natë në territorin e kësaj bashkie në këto struktura”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja u bëri thirrje bizneseve përfituese nga ulja e taksës 20 përqind se nuk mjafton regjistrimi që kanë bërë në QKB, por për ta përfituar këtë ulje duhet të regjistrohen edhe te Ministria.
“TVSH 6% e aplikuar në të gjitha strukturat akomoduese me kushtin që këto struktura të formalizohen, të regjistrohen pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është një praktikë që ka filluar prej me shumë se 4 vitesh, e cila po intensifikohet.
Çdokush që ka një hotel nuk mjafton të jetë i regjistruar në QKB për të përfituar këtë ulje të TVSH për turizmin nga 20% në 6%, por duhet detyrimisht të regjistrohet edhe pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të marrë kategorinë e caktuar”, u shpreh ajo./Burimi: Oranews.al