Kartat bankare bazike, Qeveria ia le ne dore BSH caktimin e tarifes
Tarifa që do paguajnë qytetarët të cilët do pajisen me karta bankare bazike, nuk do përcaktohet nga vetë bankat, por nga Banka e Shqipërisë.
Përcaktimi vjen përmes projektligjit Për Llogaritë Bazike, të sapomiratuar nga Këshilli i Ministrave. Përcaktim që ndryshon rrënjësisht nga draftligji fillestar i Bankës së Shqipërisë, i konsultuar me palët e interesit në shkurt të këtij viti.
Specifikisht, në pikën 1 të Nenit 7 të draftit të muajit shkurt, përcaktohej se bankat ofrojnë shërbimet e parashikuara në pikën 1 të nenit 6 të këtij ligji, pa aplikuar tarifa, ose kundrejt një tarife të arsyeshme, nëse ato e parashikojnë këtë tarifë në politikat e tyre të brendshme për përcaktimin e tarifave.
Më tej, pika 3 e po këtij neni përcaktonte se tarifë e arsyeshme do të konsiderohet tarifa e cila nuk tejkalon 50% të nivelit mesatar të tarifës së aplikuar nga subjekti, për të njëjtat shërbime të ofruara nëpërmjet një llogarie pagesash.
Dhe është pikërisht përcaktimi i tarifës së arsyeshme që ndryshon tërësisht në Projektligjin përfundimtar të Këshillit të Ministrave.
“Metodologjia e përllogaritjes së tarifës së arsyeshme nga bankat përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë, duke konsideruar të paktën nivelin e të ardhurave kombëtare dhe tarifat mesatare të aplikuara nga bankat për shërbimet e pagesave, të ofruara në llogaritë e pagesave”, përcakton pika 3 e nenit që rregullon tarifat e kartave bazike.
Tarifat që do përcaktohen me akt nënligjor nga Banka e Shqipërisë do të zbatohen për veprimet bazike për një numër total maksimal prej 5 transaksione pagesash në muaj për shërbimet e përcaktuara në këtë pikë.
Tarifat për çdo transaksion pagesash mbi numrin prej 5 transaksione pagesash në muaj për shërbimet e përcaktuara në këtë pikë nuk janë më të larta se ato që banka aplikon, sipas politikës së brendshme për përcaktimin e tarifave)./Burimi: SCAN