Secondary Adv

Paketa Fiskale 2024, kufizohet rritja e akcizes per karburantet, produktet energjetike e alkoolin

Paketa fiskale për vitin 2024 ka prekur ligjin për akcizat, ku do të ndryshohet rregulli i vendosur në vitin 2021.

 

Akciza për produktet e hidrokarbureve, produktet alkoolike, energjetike dhe kafen do të rritej në bazë të inflacionit të dy viteve të mbledhura bashkë (pra duke mbledhur inflacionin 2022-2023).

 

Duke qenë se inflacioni ka rezultuar shumë i lartë, qeveria ka vendosur të caktojë një tavan për të mos lejuar rritje të çmimeve për këto produkte.  

 

Nga viti i ardhshëm akciza për karburantin, për pijet alkoolike, për kafen apo për produktet energjetike do rritet me vetëm 1.5%.

 

“Lidhur me akcizën, edhe pse ligji parashikon që të ketë indeksim të normës së akcizës, bazuar në nivelin kumulativ të inflacionit çdo dy vite, në vlerësimin tonë, nisur nga niveli i pazakontë i inflacionit në dy vitet e kaluara, kjo masë e ligjit do duhet të ndryshojë.

 

Ndaj propozojmë vendosjen e një tavani prej 1.5% indeksim çdo dy vite”, u shpreh Ministri i Financave Ervin Mete pas miratimit të paketës në qeveri.   

 

Ndërsa sa i takon akcizës për produktet e nënproduktet e duhanit rritja e akcizës do të vazhdojë në mënyrë progresive siç ka qenë e parashikuar.

 

Vitin që vjen akciza për duhanit do të jetë 7250 lekë për 1000 fije, në 1 janar 2024, ndërsa këtë vit është 7000 lekë/1000 fije.

 

Pjesë e paketës së re fiskale është edhe ndryshimi i ligjit për procedurat tatimore që ka në fokus shkëmbimin e informacionit me vendet e tjera për kompanitë e huaja që kanë filiale në Shqipëri.

 

Këto ndryshime mund të sigurohet informacion në kohë reale, si dhe mund të shërbejë edhe për të parandaluar evazionin apo pastrimin e parave

 

“Në procedurat tatimore janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri”, tha Mete. 

 

Ndryshimi tjetër është për të eliminuar tatimin e dyfishtë. 

 

“Sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eliminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër miradministrim në këtë fushë”, pohon Mete. 

 

Nga ana tjetër qeveria ka vendosur të mos prekë TVSH-në për sektorin e arsimit dhe të shërbimeve financiare siç ishte paralajmëruar që do të ndodhte prej vitit të ardhshëm./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat