Secondary Adv

Izraeli intensifikon sulmet ne Gaza, OKB miraton Rezolute per armepushim te menjehershem

Forcat izraelite deklaruan se e premtja ishte një nga netët më intensive të bombardimeve deri më tani.

 

Izraeli ka nisur një sulm intensiv në Rripin e Gazës me më se 100 avionë të cilët janë angazhuar për bombardime në të njëjtën kohë. 

 

Hamasi është përgjigjur me breshëri raketash në Tel Aviv, ndërsa thotë se tanket izraelite janë futur në Rripin e Gazës. SHBA dhe OKB bëjnë thirrje për armëpushim humanitar. 

 

Izraeli ka nisur një bombardim intensiv mbrëmjen e sotme (27 tetor) në Rripin e Gazës, sidomos në zonën veriore, me më se 100 avionë të cilët janë angazhuar për bombardime në të njëjtën kohë.

 

Videot e shpërndara në rrjet tregojnë shpërthime dhe tym mbi qytetin e Gazës. Ndërkohë, Hamasi është përgjigjur me breshëri raketash në Tel Aviv, në aeroportin Ben Gurion dhe në qytete në qendër të shtetit hebre si Ramat Gan, Or Yehuda, Rishon LeZion, Holon, Ashdod dhe Ashkelon.

 

Izraeli paralajmëroi se forcat tokësore do të "zgjerojnë operacionet gjatë natës". Zëdhënësi ushtarak Daniel Hagari tha se kanë shtuar sulmet në Gaza, ndërsa u bënë thirrje banorëve të qytetit të Gazës të lëvizin në jug për sigurinë e tyre.

 

“Në orët e fundit kemi shtuar sulmet në Gaza. Forcat ajrore sulmojnë gjerësisht objektivat nëntokësore dhe infrastrukturën terroriste, në mënyrë shumë të konsiderueshme.

 

Në vazhdim të aktivitetit sulmues që kemi zhvilluar ditët e fundit, forcat tokësore po zgjerojnë aktivitetin tokësor mbrëmjen e sotme”, tha ai.

 

Përveç sulmeve masive, Hamasi pretendon se tanket izraelite janë futur në Rripin e Gazës dhe ka përleshje. Nga ana tjetër, Mbrojtja izraelite në një deklaratë thotë se ky nuk është një pushtim zyrtar tokësor.

 

Zëdhënësi i Netanyahut ka thënë për mediat e huaja: “Sonte fillon pika e kthesës, Hamasi do të ndjejë zemërimin tonë".

 

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar me një shumicë dërrmuese një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.

 

120 shtete votuan pro, 14 kundër dhe 45 abstenime.

 

Rezoluta, e paraqitur nga Jordania në emër të grupit arab, dënon gjithashtu të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë, duke përfshirë të gjitha "sulmet terroriste dhe pa dallim".

 

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese. Nga ana tjetër, SHBA ka bërë thirrje për një armëpushim humanitar për të lejuar që të shpërndahet për civilët uji, ushqimi dhe karburanti. 

 

Me urdhër të Presidentit amerikan, Joe Biden, avionët ushtarakë amerikanë, sulmuan grupet e militantëve të mbështetur nga Irani në Siri, të cilët kishin sulmuar trupat amerikane në vend dhe në Irak pas sulmeve të 7 tetorit në Izrael.

 

Këtë e ka bërë të ditur Pentagoni në një shënim. Gjashtë persona u plagosën kur një raketë goditi spitalin në Tabë, një qytet egjiptian në kufi me Izraelin, i cili ka qenë në luftë me Hamasin që nga 7 tetori.

 

Ushtria izraelite hyri mbëmjen e djeshme në veri të Gazës për herë të tretë brenda 24 orësh dhe sulmoi bazën e Hamasit, disa prej tyre në qytetin e Gazës. Këtë e ka bërë të ditur vetë IDF, sipas asaj që raportojnë mediat izraelite.

 

Sipas ushtrisë, objektivat janë anëtarët e Hamasit, platformat e lëshimit të raketave antitank dhe selia e Hamasit, u raportua po ashtu se asnjë ushtar nuk u lëndua./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat