
Raporti i FMN: Inflacioni rreth 4 per qind, Shqiperia ne kushte te shtrenguara te tregut te punes
Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi deklaratën përmbyllëse të misionit të tij në Shqipëri.
Në deklaratë thuhet se, “ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga ekonomitë më të forta të rajonit”.
“Në sajë të rimëkëmbjes së fortë të turizmit, vitin që shkoi rritja ekonomike i kaloi pritshmëritë duke u rritur me rreth 5 për qind, ndërsa pozicioni i jashtëm pësoi një përmirësim të dukshëm.
Marrë së bashku, konsolidimi fiskal, të ardhurat më të larta dhe vlerësimi i lekut bënë, që raporti i borxhit publik të kthehej në nivelet para pandemisë.
Politika monetare është e fokusuar në mënyrë të drejtë në uljen e inflacionit, i cili ka rënë gradualisht pasi arriti pikën kulmore, edhe pse në nivel më të ulët krahasuar me vendet e rajonit”, thuhet në deklaratë.
Sipas FMN, “perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë e shëndoshë. PPB-ja reale parashikohet të zgjerohet me 3.6 për qind në 2023 dhe 3.3 për qind në 2024, kryesuar nga një konsum privat i qëndrueshëm, me forcimin e konsiderueshëm të turizmit dhe veprimtarisë së ndërtimit.
Inflacioni qëndron rreth nivelit 4 për qind, në kushte të shtrënguara të tregut të punës, dhe pritet të kthehet vetëm gradualisht në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind në fillim të vitit 2025”.
“Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një rrezik të madh të mundshëm, duke qenë se ekonomia vazhdon të jetë e pambrojtur ndaj rreziqeve të goditjeve në sektorin energjetik të lidhura me klimën, të ndryshimit të papritur të kahut të kursit të këmbimit dhe një inflacioni më të vazhdueshëm.
Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, thekson FMN.
Sa i takon ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale, FMN thekson se, “autoritetet kanë ndërmarrë një konsolidim të konsiderueshëm fiskal në vitet pas pandemisë, me përmirësime të dukshme në mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar”.
“Me një nivel të pritshëm të balancës primare ndaj PPB-së në 0 në vitin 2023, rregulli fiskal, që kërkon një balancë primare jo negative pritet të përmbushet një vit përpara afatit.
Në skenarin bazë, misioni parashikon në periudhën afatmesme një konsolidim të mëtejshëm fiskal të kufizuar, duke qënë se buxheti për vitin 2024 synon një suficit primar të ulët”, shton FMN.
Sipas FMN, “borxhi publik pritet të jetë rreth 60 për qind në fund të 2023 dhe parashikohet të jetë i qëndrueshëm në periudhën afatmesme”.
“Një përpjekje më e madhe fiskale se parashikimi aktual për 2024, mbetet kritike ndërkohë, që Shqipëria vijon të përballet me nevoja të larta për financim bruto. Masa fiskale neto shtesë, të sjella më afër në kohë, në rreth 1.5 për qind e PBB-së gjatë pesë viteve të ardhme,
do të bënin që borxhi publik të ulej për të arritur synimin e rregullit fiskal prej 45 për qind, dhe do të pakësonin në mënyrë të rëndësishme nevojat për financim bruto”, thekson më tej FMN.
“Pjesa më e madhe e zhvillimeve duhet të vijnë përmes mobilizimit të të ardhurave dhe duhet të plotësohen me përfitime nga efikasiteti i shpenzimeve.
Administrimi më i fortë i investimeve publike po ashtu do të mundësojë shpërndarjen e më shumë burimeve për investime produktive, duke përfshirë këtu investimet në arsim dhe përshtatjen ndaj klimës.
Këto masa duhet të merren në paralel me zbatimin e strategjisë së menaxhimit të borxhit për të zgjatur maturitetin e borxhit dhe për të ulur borxhin me norma interesi të ndryshueshme”, shton FMN.
Gjithashtu, FMN vë në dukje se, “nevojitet një strategji të ardhurash afatmesme për një konsolidim të besueshëm fiskal. Autoritetet kanë miratuar ligje për disa nga reformat në politikat tatimore në përputhje me asistencën e mëparshme teknike të FMN-së.
Miratimi në kohë i masave, që priten të ndërmerren është shumë i rëndësishëm, përfshirë reformat në taksën e pronës dhe të lojërave të fatit.
Masa që sjellin më shumë të ardhura, të cilat janë lënë pë t’u kryer më vonë, të tilla si heqja e përjashtimeve të tjera të TVSH-së dhe heqja e shkallës tatimore zero për bizneset e vogla, mund të merren gjithashtu në konsideratë”.
Duhet të përfundojë puna për plotësimin e parakushteve për kryerjen në kohë të reformave në taksën e pronës, duke përfshirë ngritjen e një kadastre fiskale të centralizuar dhe vendosjen në funksion të saj.
Mbledhja e të ardhurave të mëtejshme do të varet nga forcimi i administrimit të të ardhurave, duke përfshirë rritjen e pajtueshmërisë tatimore të individëve të pasur dhe nga plani i veprimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Progresi në këto fusha do të mbështesë gjithashtu përpjekje më të mëdha për uljen e informalitetit dhe zgjerimin e bazës tatimore”, shton FMN.
FMN po ashtu thekson se, masat afatmesme dhe afatgjata kërkojnë përmirësime të efikasitetit./Buirmi: Ora News
Më të lexuarat








