Kriza ne Lindjen e Mesme, rreziqe te reja per energjine, tregtine dhe inflacionin
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë rritur shqetësimet e ekonomistëve për një kërcënim afatgjatë për energjinë dhe tregtinë.
Ndërsa përpjekjet diplomatike nga fuqitë ndërkombëtare janë intensifikuar me shpresën për të kufizuar pasojat nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, rreziku i zgjerimit të konfliktit në rajon po rritet.
Sipas analistëve çdo konflikt në Lindjen e Mesme ndikon në të gjithë ekonominë globale sepse rajoni është, së pari, një furnizues shumë i rëndsësishëm i energjisë dhe së dyti, kalimi kryesor detar për tregtinë globale.
Shkalla në të cilën çmimet e naftës rriten dhe ndikojnë në ekonominë globale varet nga sa i kufizuar gjeografikisht është konflikti. Aktualisht tregu i naftës është ‘shtrënguar’ pas reduktimit të prodhimit të OPEC + me iniciativën e Arabisë Saudite.
Konflikti ka nisur në një moment të një pasigurie të jashtëzakonshme ekonomike”, pasi lufta në Ukrainë vazhdon të përshkallëzohet dhe bankat qendrore arrijnë kulmin e ciklit të shtrëngimit monetar.
Për ekonomitë që tashmë janë në recesion ose janë drejtuar drejt recesionit, rritjet e mëtejshme të normave nga FED dhe BQE mund t’i fundosin ato edhe më thellë. Bëhet fjalë për një një goditje të dyfishtë:
Një rritje e re e çmimeve të energjisë në një kohë kur inflacioni po zbutet, por nuk po bie aq sa duhet, dhe normat e interesit janë gjithashtu më të lartat që janë parë në vite.”
Çmimet e naftës fillimisht u rritën pas sulmit të befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit përpara se të stabilizoheshin pak, megjithëse kontratat e së ardhmes Brent ishin ende pranë 88 dollarëve,
ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit West Texas ishte pak më poshtë se 84 dollarë për fuçi.
Në ‘skenarin ekstrem’ të një përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, tregjet do të shihnin çmimet e naftës mbi 100 dollarë për fuçi për një periudhë të zgjatur, sipas parashikimeve të analistëve, që do të thotë inflacion më i lartë global, më pak rritje dhe kushte paksa shumë recesionare.
Lindja e Mesme është ‘shtëpia e korsive’ më të ngarkuara të tregtisë detare në botë, si Kanali i Suezit, Deti i Kuq, Gjiri Persik dhe Ngushticat e Hormuzit, gjë që rrit rrezikun ekonomik që lidhet me përshkallëzimin e situatës.
Çdo zgjerim i luftës në Gadishullin e Sinait dhe në rajonin e Suezit rrit rrezikun e një goditjeje ndaj tregtisë së energjisë dhe joenergjisë që kalon përmes Kanalit të Suezit, i cili përbën pothuajse 15% të tregtisë botërore, pothuajse 45% të naftës së papërpunuar.
9% e cisternave të rafinuar, por edhe 8% e cisternave të gazit natyror të lëngshëm që kalojnë në këtë rrugë.
Nëse bllokohen këto pika, krijohen ndërprerje të mëdha që do të ndikojnë jo vetëm në çmimet e naftës, por në të gjithë zinxhirin e furnizimit të botës për energji dhe mallra të tjera./Burimi: Scan TV