Secondary Adv

Interesat e bonove te thesarit bien drejt zeros, banka parashikon renie

Në ankandin e fundit, bonot njëvjeçare ranë në 1.38%, ndërsa ato me afat gjashtëmujor, në 0.9%

Shifrat

Rënia – Bonot e thesarit me afat gjashtëmujor u emetuan në ankandin e fundit, me një interes mesatar të ponderuar në rënie, 0.99%

Norma – Banka e Shqipërisë ka ulur brenda një muaji dy herë normën e interesit, duke e zbritur në nivelin historik 1.25%

Borxhi – Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015, në ankandet e bonove të thesarit u emetuan rreth 130 miliardë lekë letra me vlerë

Paralajmërimi – Sipas BSH-së, politika monetare lehtësuese paralajmëron për yield-e të ulëta edhe në muajt në vazhdim gjatë 2016-s

Shënohet rekordi më i ulët në 25 vjet i interesave të bonove të thesarit. Banka e Shqipërisë bën të ditur se bonot e thesarit me maturim 12 dhe gjashtëmujor u emetuan në ankandin e fundit, me një interes mesatar në rënie, kundrejt ankandit të mëparshëm përkatësisht në vlerën e 1.38% dhe 0.9%%. Kjo situatë është rezultat i reflektimit të uljes së re të normës bazë të interesit nga BSH-ja, para disa ditësh. Kjo kombinohet edhe me uljen e ndjeshme të kërkesës për financim nga qeveria shqiptare gjatë muajve të fundit. Në ankand u shitën rreth 14 miliardë lekë bono thesari.

Kronologjia e ankandeve

Gjatë vitit 2015, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit dy herë, për një vlerë të përgjithshme prej 0.5 pikë përqindjeje, në nivelin 1.75%. Në pjesën e dytë të vitit, qeveria arriti të rrisë huamarrjen e huaj përmes riemetimit të eurobondit dhe programeve të financimit me Bankën Botërore dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Si rezultat, ulja e kërkesës për financim të brendshëm të deficitit nga qeveria ndryshoi raportin mes kërkesës dhe ofertës për huamarrje, si në segmentin afatshkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë. Për këto arsye, norma mesatare e interesit të borxhit të qeverisë zbriti në fund të vitit në nivelin 3.6%. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2015, në ankandet e bonove të thesarit u emetuan rreth 130 miliardë lekë, krahasuar me 190 miliardë lekë gjatë gjashtëmujorit të kaluar. Interesi i pjesëmarrësve në ankande vijon të mbetet më i lartë për afatin 12-mujor të maturimit, pesha e të cilave, në totalin e bonove të thesarit, ishte 57%. Në fund të dhjetorit 2015, norma mesatare e interesit për bonot e thesarit rezultoi 3%, në rënie me 0.4 pikë përqindjeje kundrejt gjashtëmujorit të kaluar, por në rënie më të lehtë nga fundi i vitit 2014. Norma e interesit të huamarrjes përmes obligacioneve, ka qenë më e qëndrueshme, pavarësisht rënies së vëllimit të tyre.

 

Emetimet e letrave me vlerë të borxhit të qeverisë në formën e obligacioneve u ulën në 33.6 miliardë lekë, nga 55.9 miliardë lekë një gjashtëmujor më parë, duke reflektuar kryesisht uljen e emetimit të obligacionit me maturitet dyvjeçar (15 miliardë lekë). Yield-et e letrave me vlerë kanë ndjekur prirje rënëse në tremujorin e katërt, si në segmentin afatshkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë. Në segmentin afatshkurtër, ulja më e fortë e yield-eve është shënuar për afatin 12-mujor, i cili preku nivelin minimal prej 2.26% në ankandin e fundit të vitit. Yield-i 12-mujor ra mesatarisht me 0.21 pikë përqindjeje në muajin nëntor, duke reflektuar përcjelljen e uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në muajin dhjetor ai u ul edhe me 0.57 pikë përqindjeje të tjera, i nxitur edhe nga ulja e borxhit të brendshëm. Me emetimin e eurobondit dhe zhvendosjen e financimit të deficitit nga burime të brendshme në ato të jashtme, në muajin dhjetor u shlyen letra me vlerë përpara afatit, ndërsa disa të tjera u maturuan. Ndër instrumentet afatgjata, rënien më të madhe e shënoi yield-i shtatëvjeçar fiks, i cili zbriti në nivelin 6.79% në ankandin e dhjetorit, nga 7.78% që ishte. Ankandet për obligacionet dyvjeçare nuk u organizuan në muajt nëntor-dhjetor. Yield-i për këtë instrument zbriti në 3.45% në janar ose 1.12 pikë përqindjeje më pak se niveli i muajit tetor. Pjesëmarrja në ankandet e instrumenteve të lartpërmendura ka qenë e lartë, sidomos në gjysmën e dytë të tremujorit të katërt. “Nevojat e ulëta për financim të brendshëm të deficitit buxhetor sipas buxhetit të vitit 2016, si edhe politika monetare lehtësuese paralajmërojnë për yield-e të ulëta edhe në muajt në vazhdim”, analizon BSH-ja në raportin gjashtëmujor për stabilitetin financiar.



Ndikimi i eurobondit

Më 19 nëntor 2015, Ministria e Financave publikoi kalendarin e ri të emetimeve/maturimeve për pjesën e mbetur të vitit 2015, ku njoftonte uljen e financimit të brendshëm me rreth 46 miliardë lekë. Ndërkohë, më 4 nëntor 2015, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke ulur koston e parasë në tregjet e brendshme financiare. Lehtësimi i politikës monetare, së bashku me emetimin e eurobondit dhe uljen e financimit të brendshëm, krijuan presione rënëse mbi yield-et e të gjitha maturiteteve në fund të vitit. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë, duke ndjekur një politikë monetare agresive të ngjashme me atë të Bankës Qendrore Europiane, ka ulur brenda një muaji dy herë normën e interesit, duke e zbritur në nivelin historik 1.25%. Z. A.


Më të lexuarat