BERZH: Ne 2016 ekonomia shqiptare do te rritet me 3.3 per qind
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon se, ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.3% gjatë këtij viti.Në raportin e Majit, BERZH thekson se, ekonomia shqiptare u karakterizua nga një performancë e qëndrueshme, në rritje prej 2.6%, gjatë vitit 2015, pavarësisht përmbytjeve në jug të vendit në muajin Shkurt.
Gjithashtu, BERZH thekson se, në shtator të vitit 2015 qeveria ndërmori një aksion të gjerë për të reduktuar informalitetin në ekonomi dhe disa rezultate kanë qenë të dukshme, kryesisht në aspektin e rritjes së numrit të regjistrimit të biznesve. Megjithatë, qeveria përballet me disa sfidat fiskale të rëndësishme, por në anën tjetër, programi i Fondit Monetar Ndërkombëtar vazhdon të jetë në rrugën e duhur.
Sipas BERZH, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto me 3.3% gjatë vitit 2016 do të ndikohet edhe nga ringjallja e ciklit të investimeve, në mënyrë të veçantë në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe fillimin e punës kolosale për ndërtimin e Gazsjellësit Trans-Adriatik. Ndërsa për vitin 2017, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon një rritje prej 3.5%.