Secondary Adv

Banka e Shqiperise rrit normen baze te interesit, shkak inflacioni i larte

Inflacioni i lartë dhe i qëndrueshëm kryesisht tek produktet e shportës ka shtyrë BSH të rrisë përsëri normën bazë të interesit me 0.25%, duke e çuar në 3.25%.

 

“Ritmi i rënies së inflacionit erdhi në ngadalësim në tremujorin e tretë, ndërsa inflacioni bazë vijon të mbetet mbi objektiv. Inflacioni pritet të vijë në rënie graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024”.

 

Kjo nuk do të jetë rritja e fundit e normës bazë të interesit për këtë vit nëse inflacioni vijon të përkeqësohet, i cili për muajin shtator ishte 4.1%.

 

“Këshilli Mbikëqyrës thekson se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart.

 

Në këtë kontest, ai mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit”.

 

Guvernatori thotë se një tjetër rritje çmimesh po ndodh për shkak të konfliktit Izrael-Palestinë, çka rrezikon kthimin e inflacionit në objektiv prej 3%.

 

“Inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i qëndrueshëm, ndërkohë që tensionet e shtuara gjeopolitike kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës”.

 

Po ashtu Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka rritur me 0.25% edhe normën e interesit të kredisë njëditore, dhe interesin për depozitat një ditore.

 

Efekti i rritjes së normës bazë të interesit do të japë impakt të menjëhershëm tek shtrenjtimi i parasë, masë kjo që përdoret për të frenuar konsumin, në mënyrë që të balancohet kërkesa për produkte me ofertën që ka tregu.

 

Ky vendim i Bankës së Shqipërisë do të përkthehet edhe në norma më të larta interesi për kreditë që japin bankat për qytetarët./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat