Secondary Adv

Qeveria rrit fondet, 5.4 miliarde leke per emergjencat ne 2024

Emergjencat civile do të marrin më shumë fonde për vitin 2024.

 

Në treguesit e projektbuxhetit për vitin 2024 rezulton se fondi për emergjencat civile është 5.4 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë lekë më shumë nëse e krahasojmë me një vit më parë.

 

Fondi i Parandalimit dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore do të ketë përparësi të financojë projektet e investimeve që tashmë janë në proces për të parandaluar përmbytjet, marrjen e masave në rast zjarri apo tërmeti.

 

Pjesa e financimit të projekteve në proces vendoset në listën e investimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, në përputhje me ecurinë e projektit. Për të parandaluar përmbytjet në fokus do të jetë edhe ndërtimi i digave dhe ndërhyrja në ato ekzistuese.

 

Fondi për Digat është rreth 500 milionë lekë dhe është një mekanizëm financiar që financon rehabilitimin ose rikonstruksionin e digave të rezervuarëve, duke mbështetur politikën kombëtare të parandalimit dhe menaxhimit të fatkeqësive natyrore.

 

Në relacionin e buxhetit parashikohet që të shtohen veprat e mbrojtjes nga përmbytja të rehabilituara apo ndërtuara kundrejt totalit të nevojshëm prej 300 km nga 35% në 41% në vitin 2026.

 

Fondi i emergjencave civile është i domosdoshëm për pushtetin vendor për të menaxhuar pasojat e fatkeqësive natyrore dhe për të ndihmuar banorët t’i përballojnë ato. Për këtë arsye është përcaktuar me ligj që fondi i emergjencave nuk duhet të jetë më pak se 4% e buxhetit total të bashkisë./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat