Rritet pabarazia, thellohet hendeku mes pagave dhe pensioneve
Sipas INSTAT, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi.
Ky hendek është thelluar vitet e fundit dhe është përshpejtuar më shumë këtë vit.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2023, pensioni mesatar ishte vetëm sa 25.5% e pagës mesatare mujore bruto, nga 31% që ishte ky raport më 2018.
Në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare neto dhe 35% e pagës bruto. Këto raporte ishin përkatësisht 52 dhe 41% në vitin 2018.
Të dhënat tregojnë për një rritje të pabarazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë, në këtë rast të pensionistëve dhe personave të punësuar.
Me gjasa, hendeku do të zgjerohet gjatë viteve në vijim, pasi tregu po sinjalizon rritje më të larta të pagave prej kushteve të reja që ka krijuar mungesa e fuqisë punëtore.
Pas një dekade anemike, pagat kanë nisur të lëvizin, ndonëse jo me ritme të larta.
Në fund të qershorit 2023, paga mesatare në shkallë vendi ishte 30% më e lartë se para pandemisë, duke u rritur nga 52,380 lekë në 67,805 lekë.
Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar nga niveli 16,256 lekë në vitin 2019, arriti në 17,306 lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, me zgjerim vetëm 6%
Diferenca ndërmjet pensionit dhe pagës mesatare është edhe më e thellë për fshatin. Në vitin 2022, pensioni mesatar në fshat ishte 10,349 lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Kjo shumë ishte vetëm sa 16.7% e pagës bruto në të njëjtën periudhë.
Diferenca ndërmjet pagës mesatare dhe pensionit mesatar pritet të thellohet edhe më shumë këtë vit, pasi qeveria po rrit pagat për administratën publike, me qëllim dyfishimin e tyre në dy vitet në vijim, teksa për pensionet parashikohet vetëm indeksim.
Për këtë vit pritet një indeksim muajin që vjen, me 8.6%.