Detyrimet e prapambetura buxhetore arrijne ne 200 mln euro ne 9 muaj
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave detyrimet e prapambetura u rritën në 20,4 miliardë lekë në fund të muajit shtator, shifër kjo 57% më e lartë se fillimi i vitit.
Ministria e financave synon të plotësojë një objektiv sipas të cilit stoku i detyrimeve të prapambetura vjetore nuk kalon 2% të totalit të shpenzimeve, në të paktën dy nga tre vitet e fundit fiskalë.
Objekti i detyrimeve të prapambetura të qeverisë së përgjithshme si përqindje e totalit të shpenzimeve për vitin 2023 është vendosur barazim ose më i vogël se 2.4% (realizim i plotë) ose 2.8% (realizim i pjesshëm).
Për 9 mujorin 2023 niveli i detyrimeve rezultoi 2.85%, më i madh se objektivi i vendosur, por Ministria e Financave ka në plan të shlyejë një pjesë të këtyre detyrimeve në muajt e mbetur të vitit me qëllim për të arritur tragetin më pak se 2.5%.
Siç shihet nga historiku i detyrimeve, akumulimet janë të larta në 6 mujorin e dytë, pasi kompanitë kryejnë punimeve përtej parashikimeve në buxhet. Megjithëse një seri udhëzimesh dhe rregulloresh evitojnë akumulimet e detyrimeve ato po bëhen një zë i pashmangshëm në buxhet.
Ministria e Financave e ka bërë praktikë që një pjesë të këtyre ta shlyeje në fund të vitit, por përgjithësisht një stok prej 100 milionë eurosh mbetet.
Nga totali i detyrimeve të prapambetura deri në shtator 2023 , qeveria qendrore zotëron 12.27 miliardë lekë, nga të cilat, investimet zënë peshën më të madhe të stokut të detyrimit rreth 64.6%, dhe Vendimet Gjyqësore zënë rreth 26.8%.
Totali detyrimeve të prapambetura të qeverisë vendore rreth 7.62 miliardë lekë, nga të cilat investimet zënë peshën më të madhe të stokut të detyrimit me rreth 50.1%, detyrime të prapambetura të tjera me rreth 26.9%, shërbime me rreth 10.1%, vendimet Gjyqësore rreth 7.3%, mallra me rreth 3.1%.
Duke nisur nga muaji dhjetori 2020, monitorimi dhe raportimi i detyrimeve të prapambetura, i cili më parë kryhej mbi bazë tremujore nëpërmjet raportimit shkresor të institucioneve, tashmë gjenerohet automatikisht nga Sistemi informatikë Financiar i Qeverisë (SIFQ).