Maqedonia e Veriut heq dore nga qymyri, BERZH financon planin 4 mld euro
Huadhënësit ndërkombëtarë, përfshirë BERZH dhe Bankën Botërore, po mbështesin një plan prej 4 miliardë euro për të shkëputur Maqedoninë e Veriut nga energjia me qymyr.
Marrëveshja, që pritet të shpallet në bisedimet për klimën COP28 në Dubai që fillojnë më 30 nëntor, do të parashtrojë një plan për mbylljen e dy termocentraleve të qymyrit të vendit dhe zëvendësimin e tyre me 1.7 gigavat energji të rinovueshme.
Presidenti i BERZH, Odile Renaud Basso u shpreh se aktualisht qymyri në Maqedoninë e Veriut përfaqëson 40% të burimit të energjisë, kështu që është shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm.
I quajtur “Programi i Investimeve të Tranzicionit të Vetëm të Energjisë”, plani ndjek përpjekje të ngjashme për të nxjerrë sa më shpejt jashtë përdorimit fabrikat e qymyrit në Afrikën e Jugut, Indonezi, Vietnam dhe Senegal, me mbështetjen e qeverive, huadhënësve publikë dhe investitorëve privatë.
Çmimi i tij – ekuivalent me 2 mijë euro për secilin nga 2 milionë banorët e kombit ballkanik – nënvizon vështirësinë që hasin shumë vende të vogla ose me të ardhura të ulëta në financimin e një tranzicioni drejt energjisë më të pastër.
Kombet e Bashkuara në vitin 2018 e cilësuan Shkupin, kryeqytetin më të ndotur në Europë dhe vendi ka punuar për vite të tëra për t’u larguar nga qymyri.
Por në vitin 2021, ai rihapi termocentralin me qymyr ‘REK Oslomej’ për të reduktuar importet e energjisë elektrike. Të dy termocentralet e tij me qymyr janë të vjetruara dhe me linjit, që është lloji më ndotës i qymyrit.
Një zëdhënës i Fondeve të Investimeve Klimatike të Bankës Botërore – CIF konfirmoi se Maqedonia e Veriut ishte në garë për deri në 85 milionë dollarë financime koncesionare prej saj dhe tha se plani i investimit, duke përfshirë shumën specifike të parave, do t’i dorëzohej organit qeverisës së CIF, për miratim në fillim të vitit të ardhshëm.
Renaud-Basso tha se krahas rreth 300 milion – 400 milion euro financime koncesionare, financimi do të vinte nga huadhënësit shumëpalësh si Korporata Financiare Ndërkombëtare dhe sektori privat.
Një zëdhënës i IFC tha se tranzicioni i gjelbër, përfshirë Maqedoninë e Veriut, ishte një nga prioritetet kryesore.
Maqedonia e Veriut iu bashkua Aleancës ‘Powering Past Coal’, një grup vendesh të angazhuara për të hequr gradualisht energjinë me qymyr, në vitin 2021. Pasi fillimisht synonte përfundimin deri në vitin 2027, ajo e shtyu afatin në 2030.
Vonesa dhe planet për të hapur dy miniera të reja qymyri mes shqetësimeve për sigurinë energjetike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, nxitën veprimet e shteteve të tjera të Bashkimit Europian, por tërhoqën kritika nga aktivistët mjedisorë./Burimi: SCAN