Secondary Adv

AMF: Tregu i pensioneve private eshte rritur me 12 per qind qe nga fundi i vitit te kaluar

Tregu i pensioneve private është zgjeruar edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke arritur, për herë të parë, një total aktivesh prej më shumë se një miliardë lekësh.


Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, përmasat e tregut janë rritur me afro 10% krahasuar me fundin e vitit 2015. Megjithëse tregu vazhdon të ketë përmasa mjaft modeste në raport me pjesën tjetër të sistemit financiar, në vitet e fundit rritja ka qenë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme në kohë.
Aktivet e fondeve private të pensioneve konsistojnë kryesisht në investime në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare. Vlera totale e investimeve të këtyre fondeve arriti në 942 milionë lekë, në rritje me 12% që nga fundi i vitit të kaluar.


Në total, skemat private të pensioneve përfshijnë rreth 13,400 anëtarë, në rritje me afro 7% që nga fillimi i vitit. Tregu ngelet ende në përmasa modeste dhe ekspertët mendojnë se rritja do të jetë e ngadaltë në kohë, duke ecur paralelisht me forcimin e kulturës financiare dhe shtimin e besimit në këto institucione.
Në treg vazhdojnë të veprojnë tre fonde të pensioneve private, që menaxhohen nga institucione financiare, përkatësisht “Raiffeisen”, “Sigal” dhe “Sicred”.Mbështetur në numrin e anëtarëve, tregu kryesohet nga Sigal me 41%, e ndjekur nga SiCred me 39%, ndërsa “Raiffeisen Pensions” zotëron pak më shumë se 19% të numrit total të anëtrëve në skemat private të pensioneve.


Më të lexuarat