Shoqata per Mbrojtjen e Tregtareve: Te ulen taksat vendore, biznesi ne depresion
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit të kryeqytetit dhe me këshilltarë të Këshillit Bashkiakë ku ra në sy mungesa e atyre të majtë në lidhje me efektin që po shkakton zbatimi i Paketës Fiskale 2016.
Gjatë fjalës së tij, Nikollaq Neranxi, kryetar i Shoqatës së Tregtarëve kërkoi që Bashkia e Tiranës të rishikojë uljen e taksave vendore duke e çuar në nivelin e mëparshëm. Sipas tij, biznesi i kryeqytetit po gjendet në një situatë emergjence. “Janë 36,000 biznese që kanë kaluar në status pasiv. Në vend po konsumohet më pak. Sipërmarrjes i është bërë gropa. Çdo gjë po merr fund”, ka thënë kreu i Shoqatës së Mbrojtjes së Tregtarëve. Ai tha se gjatë hartimit të kësaj pakete nuk ka pasur dialog dhe ka munguar transparenca. “Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë ka çuar paketën vendore të taksave në Gjykatë, por Apeli Administrativ po krijon vonesa të qëllimshme që ne të fillojmë të paguajmë taksat ose thënë ndryshe, gjobat e bashkisë, ndërkohë që një pjesë e taksave kanë shkuar në Gjykatë Kushtetuese, por siç dihet ajo gjykatë ka ritmet e saj, të cilat janë pak më të ngadalta, por integriteti i asaj gjykate duhet thënë që deri tani nuk na ka zhgënjyer”, tha Neranxi.