Secondary Adv

BSH miraton strategjine afatmesme 2024-2026 dhe buxhetin e vitit te ardhshem

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit 2024 – 2026.

 

Sipas njoftimit zyrtar të bankës qendrore, ky dokument është një përditësim i strategjisë ekzistuese (2023-2025), përmes së cilit zgjatet afati i zbatimit të këtij dokumenti, përtej vitit 2025 dhe përcaktohen objektivat për periudhën afatmesme në vijim.

 

Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.

 

Ajo përfshin funksionet kryesore të BSH-së: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale),

 

infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); funksionet horizontale (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, kontrolli i brendshëm, kontabiliteti dhe IT).

 

Këshilli Mbikëqyrës miratoi gjithashtu buxhetin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2024 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2025 – 2026.

 

Sipas njoftimit, buxheti i miratuar për vitin 2024 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2025-2026 garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit.

 

Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.

 

Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2024 – 2026, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare,

 

zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun.

 

Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, asaj të sigurisë dhe të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti i Bankës së Shqipërisë.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/banka-e-shqiperise-miraton-strategjine-afatmesme-2024-2026-dhe-buxhetin-e-vitit-te-ardhshem/)


Më të lexuarat