Secondary Adv

Stanjacioni i kursimeve ne leke krijon trysni mbi likuiditetin, rriten interesat e depozitave

Normat e interesit të depozitave i janë kthyer rritjes në muajt e fundit dhe kanë arritur nivelet më të larta që nga nisja e ciklit të normalizimit monetar.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për depozitat e reja me afat në lekë arriti në 1.73% në muajin shtator, në vlera të përafërta me nivelin prej 1.74% të muajit gusht.

 

Këto janë nivelet më të larta të arritur qysh kur Banka e Shqipërisë filloi të rriste normat e interesit, në mars të vitit 2022.

 

Normat e interesit të depozitave kishin qenë qenë të stabilizuara pranë nivelit 1.4-1.5% qysh prej fundit të vitit të kaluar.

 

Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe rënia e yield-eve uli stimujt për rritjen e interesave të depozitave bankare.

 

Por, pas muajit gusht normat e interesit kanë filluar të lëvizin përsëri në rritje.

 

Kthimi i rritjes së normave të interesit të depozitave në lekë mund të shpjegohet me stanjacionin e depozitave në monedhën vendase dhe me ngushtimin e tepricave të likuiditetit të sektorit bankar.

 

Në fund të muajit shtator, depozitat në lekë kishin një normë rritjeje vjetore shumë të ulët, prej 0.3%.

 

Ndërkohë, gjatë këtij viti kredia në lekë është rritur me më shumë se 9%, falë normave relativisht të ulëta të interesit.

 

Madje, një pjesë e huamarrësve kanë kthyer kreditë ekzistuese nga valuta e huaj në monedhën vendase, të nxitur sa nga normat e interesit, ashtu edhe kursi i favorshëm i këmbimit.

 

Ndërkohë, bankat kanë vijuar këtë vit të rrisin investimet në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare. Titujt afatgjatë kanë nisur të shfaqin një rritje të lehtë të yield-eve gjatë tremujorit të tretë të vitit, duke i bërë më tërheqës për investitorët.

 

Një situatë e tillë ka ushtruar trysni mbi likuiditetin në monedhën vendase.

 

Statistikat tregojnë se mbështetja e sektorit bankar me likuiditet nga Banka e Shqipërisë ka arritur nivelet më të larta historike në muajin shtator-tetor.

 

Në fund të muajit tetor, huaja nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes (REPO) arriti në 62.5 miliardë lekë, vlera më e lartë e raportuar ndonjëherë nga banka qendrore.

 

Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlera e raportuar e financimit me REPO është në rritje me pothuajse 41%.

 

Një tendencë e rritjes së normave të interesit të depozitave në muajt e fundit është ndier edhe për monedhën Euro.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit në periudhën gusht-shtator kaloi për herë të parë kufirin e 1%, duke shënuar gjithashtu nivelet më të larta prej vitesh.

 

Në muajin shtator, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në euro arriti në 1.08%, ndërsa në gusht kishte qenë 1.09%. Në rastin e Euros, rritja e normave të interesit nuk është e lidhur me nevojën për të nxitur rimet e rritjes së depozitave.

 

Statistikat tregojnë se depozitat në Euro vazhdojnë të rriten me ritme mjaft të larta (16.5% në fund të muajit shtator).

 

Rritja e interesit të depozitave në euro mund të shpjegohet kryesisht me rritjen e ndjeshme të normave të interesit në krahun e aktiveve, si rezultat i lëvizjeve të Bankës Qendrore Europiane.

 

Në kushtet kur tregjet ofrojën norma më të larta interesi, bankat kanë rritur përpjekjet për të thithur depozita dhe për të shfrytëzuar flukset e larta valutore që ka krijuar sezoni pozitiv turistik.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/stanjacioni-i-kursimeve-ne-leke-krijon-trysni-mbi-likuiditetin-bankat-reagojne-duke-rritur-interesat-e-depozitave/)


Më të lexuarat