Secondary Adv

Abuzimet e bizneseve u rriten ne 2022, ne 20 vite 12.4 mln euro gjoba

Rastet e bizneseve që abuzojnë me pozitat e tyre, marrëveshjet e fshehta mes sipërmarrjeve apo përqendrimet e tregut në sektorë të caktuar, në 2022 u rritën.

 

Në vitin 2022, ishin 8 kompani që janë gjobitur me vlerë 2.1 milionë euro, të përqendruara tek tregu i plehrave kimike e inputeve bujqësore, importi grurit dhe tregtimi i miellit si edhe parkimi në aeroport.

 

Denar Biba kryetar i Autoritetit të Konkurrencës në konferencën ndërkombëtare për mbrojtjen e konkurrencës bëri bilancin e 20 viteve punë.

 

“Në total në këto 20 vite autoriteti ka miratuar 1056 vendimi, ka marrë 50 vendime gjobash, me vlerë prej 12.4 milionë euro, vetëm në vitin e fundit u morën 99 vendime dhe vlera e gjobave 2.1 milionë euro”,- tha Denar Biba konferencën ndërkombëtare me temë: “20-vjetori i ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” në Shqipëri.

 

I pranishëm në konferencë Guvernatori Gent Sejko kërkoi fokusim të kontrolleve në sektorin financiar.

 

“Të njëjtat efekte, si në sektorët e tjerë të ekonomisë, konkurrenca duhet t’i prodhojë edhe në sektorin financiar, duke kontribuuar në zgjerimin e gamës dhe cilësisë së produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara nga bankat, si dhe rritjen e aksesit në financë.

 

Zbatimi i politikës së konkurrencës në sektorin bankar mbetet një çështje e komplikuar”, tha Sejko.

 

Në konferencë u theksua se goditja e abuzime në treg, rritja e konkurrencës në vend si dhe përmirësimi i klimës së biznesit në vend, janë edhe kushte thelbësore për anëtarësimin e vendit në BE./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat