Secondary Adv

Spanja pritet te njohe pavaresine e Palestines, reagon ashper Izraeli

Kreu i qeverisë spanjolle Pedro Sanchez u shpreh së fundmi se Spanja do ta njohë një Palestinë të pavarur edhe pa pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.

 

Kryeministri Sanchez së bashku me kryeministrin belg, Alexander de Croo dhe liderin egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi mbajtën një konferencë shtypi përpara pikës kufitare Rafah dhe njoftuan se së shpejti, Spanja do ta njohë pavarësinë e Palestinës.

 

Udhëtimi i parë ndërkombëtar i Sanchezit pas fitimit të mandatit të kryeministrit të Spanjës për herë të tretë ishte në Lindjen e Mesme.

 

Ai më parë kritikoi ashpër Izraelin për bombardimin e civilëve në Gaza dhe dërgoi një mesazh se Spanja pritet ta njohë Palestinën edhe nëse Bashkimi Evropian nuk e bën.

 

“Ka ardhur momenti që komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-ja të marrë një vendim për njohjen e shtetit palestinez. Do të ishte e rëndësishme që shumë anëtarë të BE-së ta bënin këtë së bashku.

 

Por, nëse kjo nuk do të ndodhë, sigurisht që Spanja do të marrë vendimet e saj”, tha ai pranë kufirit midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.

 

Në vitin 2014, nën një qeveri konservatore, parlamenti spanjoll miratoi një rezolutë që bën thirrje për njohjen e shtetit palestinez, të mbështetur nga të gjitha partitë politike.

 

Lidhur me deklaratën e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, i cili bëri të ditur se ky vend mund të njohë shtetin e Palestinës, është shprehur edhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, i cili e ka dënuar këtë deklaratë të spanjollit.

 

Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit thirri ambasadorët e Spanjës dhe Belgjikës për shkak të deklaratave të Sanchezit dhe De Croos në Egjipt.

 

“Pas fjalëve të kryeministrave spanjollë dhe belg, ministri i Jashtëm, Eli Cohen, ka urdhëruar që të ftohen për bisedë ambasadorët e të dyja vendeve”, njoftoi ministria izraelite. Gjithashtu mesazhin e ka dërguar edhe vetë Cohen, raporton thetimesofisrael.

 

“Ne dënojmë deklaratat e krerëve të qeverive të Spanjës dhe Belgjikës që mbështesin terrorizmin”, tha ai.

 

Për këto deklarata foli edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ku ka pohuar se “kryeministrat spanjoll dhe belg nuk e konsideruan Hamasin plotësisht përgjegjës për krimet kundër njerëzimit që ata kryen – masakrën e qytetarëve izraelitë dhe përdorimin e palestinezëve si mburoja njerëzore”.

 

Spanja pritet që ta njoh pavarësinë e shtetit palestinez pavarësisht faktit që një gjë të tillë nuk e përkrah aktualisht Bashkimi Evropian./Burimi: Ballkan Web


Më të lexuarat