Secondary Adv

Aktivet ne valute te sektorit bankar prekin rekord te ri historik

Euroizimi i sektorit bankar iu rikthye rritjes në tremujorin e tretë të vitit.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve në valutë arriti vlerën e 1.011 trilionë lekëve, në rritje me më shumë se 50 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit.

 

Vlera e aktiveve në valutë ka arritur një rekord të ri historik, duke kaluar lehtë vlerën që ishte shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Aktivet në valutë përbëjnë 52.65% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, në rritje nga niveli prej 51.5% i tremujorit të dytë, por në rënie krahasuar me nivelin prej 53.1% që regjistrohej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Megjithatë, vlera dhe pesha specifike e aktiveve në valutë janë ndikuar ndjeshëm nga zhvlerësimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun.

 

Duke llogaritur që kursi i Euros shënonte një zhvlerësim vjetor prej afërsisht 9% në fund të tremujorit të tretë, vlera e aktiveve në valutë ka pësuar një rënie të ndjeshme si rezultat i efektit të kursit të këmbimit.

 

Në mungesë të efektit statistikor të kursit të këmbimit, vlera dhe pesha e aktiveve në valutë të sektorit bankar do të ishin në nivele ndjeshëm më të larta.

 

Rritja e nivelit të euroizimit të aktiveve ngelet e lidhur ngushtë me rritjen e vazhdueshme detyrimeve, kryesisht të depozitave në valutë të huaj.

 

Detyrimet në valutë shënuan gjithashtu një vlerë rekord në fund të tremujorit të tretë, në vlerën ekuivalente të 989 miliardë lekëve, me rritje vjetore me afërsisht 2%.

 

Po ta zhvishnim nga efekti negativ i kursit të këmbimit, detyrimet në valutë të huaj do të ishin në rritje me afërsisht 11% krahasuar me vitin e kaluar.

 

Depozitat në valutë dhe veçanërisht në euro edhe këtë vit po shënojnë ritme shumë të shpejta të rritjes. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit depozitat bankare në euro rezultonin në rritje vjetore me 16.5%, duke dhënë kontributin kryesor në rritjen e depozitave bankare.

 

Rritja e depozitave në valutë të huaj në thelb orienton edhe tendencat e përgjithshme të valutizimit të aktiveve. Bankat kanë kufizime rregullatore për pozicionet e hapur në valutë, që përfaqësojnë diferencën mes aktiveve dhe pasiveve në një valutë të caktuar.

 

Kjo do të thotë se, nëse detyrimet dhe kryesisht depozitat në euro rriten, edhe aktivet do të kenë një tendencë për t’u rritur në të njëjtën valutë.

 

Rritja e depozitave në valutë ka ndikuar edhe në rritjen graduale të aktiveve të sektorit bankar të investuara jashtë vendit.

 

Duke qenë se depozitat në valutë nuk mund të investohen të gjitha në tregun e brendshëm, ku alternativa kryesore është kredidhënia për sektorin privat, një pjesë e mirë e tyre shkon në formë vendosjesh në banka të huaja ose investohet në instrumente financiare të emetuesve jorezidentë.

 

Në fund të shtatorit, vlera e aktiveve jorezidente arriti në 430 miliardë lekë, duke shënuar edhe në këtë rast një rekord historik në vlerë absolute. Aktivet jorezidente janë rritur me 9.3% krahasuar me tremujorin e dytë dhe me 7.2% krahasuar me një vit më parë.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/aktivet-ne-valute-te-sektorit-bankar-prekin-nje-rekord-te-ri-historik-pavaresisht-renies-se-euros/


Më të lexuarat