Secondary Adv

Rritet kredia konsumatore, ngadalesohet ajo per blerje banesash

Rritja e kredisë konsumatore është përshpejtuar në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa kredia për blerje banesash është rritur me ritme më të ngadalta.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia konsumatore për individët u rrit me 10% në tremujorin e tretë të vitit, rritje kjo me dy pikë përqindje më e lartë se mesatarja e tremujorëve të mëparshëm.

 

Ndërkohë, kredia hipotekare u rrit me 13.5% në tremujorin e tretë, rreth 3 pikë përqindje më pak se në gjashtëmujorin e parë të vitit.

 

Pavarësisht konkurrencës së lartë mes bankave dhe lehtësimit të vazhdueshëm të kushteve në këtë segment, kërkesa e individëve është ngadalësuar në pasqyrim të rritjes së kostos së kredisë për banesa dhe shtrëngimit të buxhetit familjar nga çmimet e larta të jetesës.

 

Banka e Shqipërisë vëren se gjatë muajve të verës, një faktor me ndikim në ecurinë e kredisë hipotekare ka qenë dhe ngërçi i përkohshëm në gjenerimin e dokumentacionit të nevojshëm nga shërbimi online i hipotekave.

 

Në tërësi, kredia për individë ka vijuar të rritet me ritme dyshifrore gjatë tremujorit të tretë, ndonëse rritja pre 12.5% në këtë tremujor ishte 1.4 pikë përqindje më e ulët se në gjashtëmujorin e parë. Kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i ngadalësimit të kredisë në valutë.

 

Normat e interesit për kreditë në lekë të individëve në tremujorin e tretë kanë vijuar të ulen. Kjo ulje ka reflektuar kryesisht ecurinë rënëse të yield-it të bonove 12-mujore, i cili përdoret në indeksimin e pjesës më të madhe të kredive të kësaj kategorie.

 

Interesi mesatar i kredisë në lek për individë shënoi 6.7% në tremujorin e tretë nga 7% dhe 7.6% që ishte në dy tremujorët paraardhës.

 

Individët kanë përfituar nga rënia e interesave për kredinë hipotekare, ndërkohë që tek kredia konsumatore ulja ka qenë minimale në 9.3%, nga 9.4% që ishte në pjesën e parë të vitit.

 

Interesat e kredisë për blerje banese rezultuan 4% nga 4.3% që ishte mesatarja në gjashtë muajt e parë të vitit. Ndërkohë, interesi i kredisë hipotekare në euro ka njohur rritje, duke sjellë diferencialin e interesave me kredinë në lek në terren negativ.

 

Interesi mesatar i kredisë së re në euro për individët shënoi një rritje të lehtë duke arritur në 5.5% në tremujorin e tretë, nga 5.3% dhe 4.1% që ishin vlerat e dy tremujorëve të mëparshëm.

 

Interesat e kredisë tek kjo kategori dominohen nga ecuria rritëse e normës së interesit për kredinë hipotekare (5.3% nga 4.3%), në reflektim të rritjes së normave referencë.

 

Bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, politikat e kreditimit për individët përgjatë vitit 2023, ndryshe nga bizneset, kanë qenë më lehtësuese.

 

Në tremujorin e tretë të vitit, bankat i lehtësuan më tej kushtet dhe termat e kreditimit për individët, nxitur prej një ambienti konkurrues në të cilin bankat veprojnë.

 

Në kreditë e reja akorduar individëve në tremujorin e tretë, bankat vijuan të ulin marzhet mbi normat referencë, sikurse edhe në gjysmën e parë të vitit.

 

Politikat lehtësuese të kreditimit kundrejt individëve, krahas elementit çmim u shprehën edhe në kushte të tjera joçmim më të favorshme, të tilla si: kërkesa më të ulëta për kolateral në kreditë hipotekare, si dhe në miratim të madhësive më të larta të kredive për individët.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kreditimi-i-individeve-fiton-kuote-huaja-per-konsum-ngadalesohet-ajo-per-blerje-banesash/


Më të lexuarat