Interesat e kredive ne euro, drejt barazimit me ato ne leke
Ndërsa interesat e kredive në monedhën e përbashkët evropiane kanë qenë tipikisht më të ulëta, diferenca me tyre dhe huave në lekë është ngushtuar ndjeshëm.
Diferencat mes interesave të kredive në lekë dhe atyre në euro janë zvogëluar ndjeshëm, si për bizneset dhe për individët, si rrjedhojë e rritjes më të shpejtë të këtyre të fundit.
Në masë të madhe rritja e interesave të huave në monedhën e përbashkët evropiane i detyrohet vendimeve të fundit të Bankës Qendrore Evropiane, e cila ka rritur në nivele rekord normën bazë të interesit.
Interesi mesatar i kredisë së re në euro për bizneset rezultoi 6.4%, në tetor nga 6.1% në tremujorin e dytë dhe 5.4% në fillimin e vitit.
Interesi për kreditë hipotekare në euro për individët ka shënuar rritje më të ndjeshme. Në këtë tremujor, ai rezultoi 5.3%, nga 4.3% që ishte në pjesën e parë të vitit.
Ndërkaq, interesi mesatar për kredinë e re në lekë dhënë biznesit është shfaqur i qëndrueshëm deri në tetor. Ai rezultoi 6.4%, i afërt me vlerën e shënuar në tremujorin e dytë prej 6.5%, dhe më poshtë se mesatarja e gjysmës së parë të vitit prej 6.9%.
Analiza sipas madhësisë së kredisë tregon se, krahasuar me fillimin e vitit, uljen më të madhe e kanë regjistruar interesat për kreditë e mesme e të mëdha (mbi 35 mln lekë).
Interesi i kredisë hipotekare për individë ka vijuar të ulet me afrimin e fundit të vitit. Ai ishte 4.0%, nga 4.3% që ishte në tremujorin e mëparshëm.
Interesi i kredisë konsumatore ndërkohë ka regjistruar një ulje të lehtë, duke u ndalur tek 9.3%, nga mesatarisht 9.4% që ishte në pjesën e parë të vitit.
Ky afrim i normave të interesit, bashkë me paqartësitë që shoqërojnë në vend monedhën e përbashkët evropiane ka sjellë për pasojë rritjen e tendencës së konvertimit të kredive të marra në monedhën e përbashkët evropiane, në hua në lekë.
Kjo zhvendosje është motivuar nga diferenca në rënie midis interesave në lekë dhe atyre në euro, por edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit.
Në fund të muajit shtator, kredia në valutë ishte 1.3% më pak se një vit më parë./Burimi: Scan TV