
Zbardhen kushtet qe shteti helen i vendos Shqiperise per integrimin ne BE
Greqia vazhdon të mos pranojë firmosjen e letrës që do të hapte negociatat e Shqipërisë më Bashkimin Evropian.
Greqia thotë se Tirana me vendim politik të qeverisë po parandalon betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Gazeta greke ‘Kathimerini’ ka zbardhur edhe kushtet që shteti helen i ka vendosur Shqipërisë për çështjen Beleri, për të pranuar hapat e ardhshëm të anëtarësimit të saj në BE.
'Tre hapat e menjëhershëm që duhet të ndërmarrë Tirana në mënyrë që Greqia të pranojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në lidhje me çështjen Beleri, përfshihen në një deklaratë me shkrim të depozituar dje në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) në Bruksel.
Në veçanti, pala greke kërkon që kryetari i zgjedhur i Heimarrës Fredi Beleris të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë dhe prezumimi i pafajësisë.'
Sipas gazetës, ashpërsimi i qëndrimit grek lidhet me intolerancën që Tirana ka treguar këtë periudhë , por është edhe një mesazh për partneret europianë, të cilët konsiderojnë se Greqia po e bilaterizon çështjen Beleri, duke injoruar dimensionin e saj thellësisht evropian.
“Për Greqinë, situata mbizotëruese bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta evropiane, kriteret e anëtarësimit dhe të drejtën europiane, të cilat janë të panegociueshme”, thuhet në deklaratë.
Pjesë nga shkrimi i gazetës greke ‘Kathimerini’
Vlen të theksohet se kjo deklaratë specifike me shkrim është tashmë qëndrimi zyrtar i Greqisë për procesin e anëtarësimit në BE dhe do të shoqërojë çdo hap të Shqipërisë, nëse, nuk përputhet me çështjet shumë themelore të ngritura nga Athina dhe që janë pjesë përbërëse e shtetit ligjor evropian.
“Përndryshe, Greqia nuk do të jetë në gjendje të bjerë dakord për fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e raportit të vlerësimit të standardeve të pazgjidhura”,
përfundon deklarata me shkrim, e cila është bashkangjitur nga pala greke gjatë procesit të miratimit përfundimtar për nisjen e negociatave të pesë kapitujve themelorë drejtuar Tiranës dhe Shkupit .
Pala greke kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë dhe prezumimi i pafajësisë.
Në letër theksohet gjithashtu se çështja Beleri “përbën një shkelje flagrante të shtetit ligjor dhe të të drejtave politike të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të pjesëtarëve të pakicës etnike greke”.
Letra jep një historik të shkurtër të çështjes dhe thekson se në prag të zgjedhjeve të 14 majit, Beleri kishte qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve të drejtpërdrejta verbale nga lidershipi politik shqiptar.
Në fakt, theksohet se me gjithë cenimin e kandidaturës së tij, Beleri ishte një nga shtatë kandidatët e opozitës që arriti të zgjidhej në 61 bashkitë e vendit.
Pala greke përfshin në deklaratën me shkrim edhe dimensionin minoritar të çështjes, pasi akuzon Shqipërinë për praktikë diskriminuese “kundër një anëtari të një pakice etnike të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare”.
Siç u nënvizua, paraburgimi i Beleris pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjes së tij bie në kundërshtim me ligjin shqiptar. Vihet re, gjithashtu, se në ligjin shqiptar është e qartë se marrja e detyrave nuk duhet të ndikohet nga procesi apo përfundimi i çështjeve të pazgjidhura, pasi është një akt i thjeshtë administrativ, i cili nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit.
Në vijim, pala greke arrin në përfundimin se “parandalimi i betimit të kryebashkiakut të zgjedhur Beleris është një vendim politik i ndërgjegjshëm i qeverisë shqiptare, që pasqyron përbuzjen e saj ndaj parimeve themelore të shtetit të së drejtës”.
Lëvizja e radhës nga ana e Tiranës pritet me interes, pasi është kërkesa e Belerit për një leje të posaçme, e cila do t'i lejojë atij të betohet dhe të marrë detyrën, do të vendoset më 4 dhjetor.
Kjo nuk është hera e parë që Greqia kërcënon me bllokimin e negociatave për Shqipërinë, ndërsa ka pasur edhe reagime nga institucionet e Bashkimit Europian. Vetë kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk beson se Greqia do të bëhet pengesë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE, por duket se Athina zyrtare nuk po tërhiqet.
Berlini zyrtar e ka quajtur të papranueshëm pretendimin e Greqisë për të penguar rrugën e integrimit të Shqipërisë për çështjen Beleri.
Ndërsa gazeta Kathimerini shkroi se edhe Spanja po i bën presion Greqisë që të pranojë firmosjen e letrës në emër të Këshillit Evropian në Tiranë, në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat për tre grup-kapitujt e parë.
Shqipëria përfundoi me sukses fazën paraprake të negociatave të anëtarësimit në BE, procesin e screening, të premten e kaluar pas 14 muajsh bisedime./Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat








