Secondary Adv

Kredia shenon vleren me te larte ne 2 vite, BSH: Rekord huaja per pasuri te paluajtshme

Kreditë e dhëna në 10 muajit e këtij viti kanë shënuar vlerën më të lartë në 2 vite. 

 

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë kësaj periudhe është dhënë hua në vlerën 246.6 miliardë lekë dhe kërkesa më e madhe është regjistruar nga sektori i tregtisë me shumicë e pakicë dhe pasuritë e paluajtshme.

 

Rritja e normave të interesit, nuk i ndalon bizneset për të marrë kredi, e cila për dhjetë muajit e këtij viti është rritur me mbi 8% krahasuar me vitin e kaluar. 

 

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për ekonominë nga janari në tetor të këtij viti arriti në 246.6 miliardë lekë, duke u rritur me 18.9 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Gjatë kësaj periudhe është regjistruar rritje e fortë e kredisë së miratuar për sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë. 

 

Më konkretisht, nëse një vit më parë nga janari në tetor huaja e dhënë për këtë fushë ishte 49.3 miliardë lekë, ndërsa këtë vit ka kapur shifrën 61.6 miliardë lekë, duke u rritur me 12.2 miliardë lekë.

 

Ndërsa është rritur me rreth 78% kredia e dhënë për sektorin e pasurive të paluajtshme. Në dhjetë muaj për këtë fushë janë dhënë mbi 8 miliardë lekë, nga 1.7 miliardë lekë që u dhanë vjet.

 

Kjo rritje e kredisë në këtë fushë lidhet direkt me interesin e lartë që ka si nga bizneset ashtu edhe nga individët për të investuar në tregun e real-estate.

 

Por edhe shtrenjtimi i apartamenteve po i shtyn gjithmonë e më shumë qytetarët të marrin hua për të blerë shtëpi.

 

Përmirësim i lehtë është regjistruar edhe tek sektori i bujqësisë, pasi janë dhënë 2.1 miliardë lekë hua, nga 1.8 miliardë që ju miratuan vjet. Pra është regjistruar një rritje prej 355 milionë lekë.

 

Kurse sa i takon ndërtimit, industrisë nxjerrëse, sektorit të energjisë që kanë peshë të lartë në vlerën e kredisë, këtë vit janë në rënie të lehtë, krahasuar me vitin 2022./Burimi: Shqiptarja.com

 

KREDIA E RE PËR EKONOMINË

Janar-Tetor 2022              227,686 mld lekë

Janar-Tetor 2023              246,606 mld lekë

Rritja                              +18,920 mld lekë

 

KREDIA PËR PASURITË E PALUAJTSHME

Janar-Tetor 2022              1,765 mld lekë

Janar-Tetor 2023              8,030 mld lekë

Rritja                              +6,265 mld lekë

 

TREGTIA ME SHUMICË DHE PAKICË

Janar-Tetor 2022              49,366

Janar-Tetor 2023              61,645

Rritja                              +12,279

 

KREDIA PËR BUJQËSINË, PYJET E PESHKIMIN

Janar-Tetor 2022              1,836 mld lekë

Janar-Tetor 2023              2,191 mld lekë

Rritja                              +355 mln lekë


Më të lexuarat