Secondary Adv

Inflacioni i Eurozones bie ne 2.4 per qind ne nentor, niveli me i ulet qe prej 2021

Inflacioni në Eurozonë ra shumë më tepër se sa pritej këtë muaj.

 

Rritja e çmimeve të konsumit në 20 vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro ra në 2.4 për qind në nëntor nga 2.9 për qind në tetor, duke shënuar nivelin më të ulët që nga korriku 2021.

 

Kjo ishte shumë poshtë pritshmërive prej 2.7%, pasi pothuajse të gjithë artikujt, me përjashtim të dukshëm të çmimeve të ushqimeve të papërpunuara – ishin më të ulëta.

 

Edhe presionet bazë të çmimeve u lehtësuan më shpejt se parashikimi, me inflacionin bazë i cili përjashton ushqimin dhe energjinë, u ul në 3.6% nga 4.2% si pasojë e një rënie më të madhe të çmimeve të shërbimeve.

 

Ngadalësimi i shpejtë i inflacionit e vendos Bankën Qendrore Europiane dhe investitorët në një kurs përplasjeje pasi të dy institucionet shohin rrugë shumë të ndryshme përpara, si për çmimet e konsumit ashtu edhe për normat e interesit të BQE-së.

 

BQE argumenton se dinamikat themelore janë më kokëfortë se sa duken dhe inflacioni në fakt do të kthehet mbi 3% vitin e ardhshëm, duke arritur vetëm objektivin prej 2% të bankës qendrore në fund të 2025, pjesërisht për shkak të rritjes së shpejtë të pagave nominale.

 

Për këtë do t’i duhet bankës të mbajë normën e saj të depozitave në një nivel rekord prej 4% për një periudhë të zgjatur, dhe madje edhe Yannis Stournaras, shefi i bankës qendrore greke, nuk sheh ulje para mesit të vitit 2024.

 

Të dhënat e reja të publikuara sot tregojnë se papunësia në eurozonë qëndron në një nivel të ulët rekord prej 6.5 për qind.

 

Ekonomistët thonë se rritja është më e dobët se sa priste BQE, tregu i punës po zbutet dhe kërkesa për kredi ka rënë, të gjitha këto tregojnë për dezinflacion të shpejtë.

 

Disa ekonomistë argumentojnë se modelimi i inflacionit aktual është jashtëzakonisht i vështirë sepse fitimet e korporatave janë shtytësi kryesor, jo pagat si në periudhat normale të inflacionit të shpejtë.

 

“Për shkak se inflacioni i udhëhequr nga fitimi është një ngjarje relativisht e rrallë, e fokusuar në fundin e zinxhirëve të furnizimit dhe e varur nga ekonomia narrative, modelet matematikore nuk janë shumë të mira në parashikimin e tij”, tha Paul Donovan në UBS Global Wealth Management.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/inflacioni-i-eurozones-bie-ne-2-4-ne-nentor-niveli-me-i-ulet-ne-me-shume-se-dy-vjet/)


Më të lexuarat