Secondary Adv

Pronat, edhe 2 dite afat, regjistrohen 1300 pronare te rinj

Fluksi i madh i krijuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave javën e fundit të pranimit të kërkesave të reja për njohje pronësie, ka detyruar institucionin të njoftojë se do të qëndrojë hapur edhe në fundjavë. Por, ajo që vihet re në oborrin e ATPsë, është prania e pronarëve, që kanë aplikuar më herët.

 

Këta të fundit, sipas drejtoreshës së Agjencisë së Pronave, Sonila Qato nuk duhet të bëhen pengesë për grupimin e parë, pasi nuk do të ketë asnjë penalitet. Në një intervistë ajo tregon se me vënien në zbatim të ligjit të ri, janë depozituar 1300 kërkesa, ndërkohë që ato do të ruajnë vlefshmërinë, për të dyja përgjigjet e mundshme të Gjykatës Kushtetuese për ligjin e ri. Qato tregon edhe përvojat e shteteve që e kanë mbyllur procesin e kompensimit të pronave dhe rrugët që ato kanë ndjekur.


Znj. Qato, si po shkon aktualisht procesi për trajtimin e pronave dhe si po menaxhohen prurjet për plotësimin e kërkesave të reja?
Procesi po ecën normalisht. Me thirrjen që kemi bërë për plotësimin e formularëve për kërkesa të reja, deri më tani janë afro 1300 formularë të plotësuar, dhe ky numër pritet të rritet pasi shohim se ka fluks në sportelet e Agjencisë. Për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë pronarëve, Agjencia e Trajtimit të Pronave do mbajë të hapur sportelet edhe dy ditët e fundit të fundjavës.


Një vendim i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit, e ruan vlefshmërinë e kërkesave të reja?
Gjykata po e shqyrton ligjin në themel dhe nuk ka një datë për vendimmarrjen, e në të tilla raste kërkohet edhe një afat prej 6 muajsh. Në rastin më të keq, me vendimin që mund të marrë Gjykata, është ta shpallë ligjin antikushtetues dhe ta shfuqizojë atë. Ndërkohë, kërkesat për aplikimet e reja që mbyllen në 23 maj do të pranohen edhe sikur Gjykata të dalë kundër. Pra, asgjë nuk prishet nga radha e këtyre kërkesave. E keqja më e madhe që ndodh, është se ky 20 përqindëshi që ne kemi bërë përllogaritjet me ndryshimin e zërit kadastral, që marrin më pak se sa do të merrnin, me shfuqizimin e ligjit do të marrin atë çka përcakton ligji i parë. Nuk ka pasoja të pariparueshme për askënd.


Sa i përket vendimeve të Strasburgut, a keni marrë garancinë e plotë për pezullimin e tyre?
Presidenti i Strasburgut u shpreh se do të vendosin një ekuilibër në shqyrtimin e vendimeve. Ai përmendi shprehjen për vendosjen e ekuilibrit të interesit publik me interesin e të drejtës së individit. Me këtë deklaratë ne morëm një lloj shprese sepse interesi publik është ajo çka ata kanë kërkuar nga ne, pra buxheti i shtetit, pasuritë shtetërore, mbylljen e procesit që ata kanë kërkuar me vendimin pilot “Manushaqe Puto”.
Cila është referenca më e afërt që keni marrë nga një shtet tjetër, i cili ka zgjidhur çështjen e pronave në këtë mënyrë apo ngjashmërisht dhe sa shtete e kanë zgjidhur përfundimisht këtë problematikë?
Kjo pjesë është e veçantë, sepse çdo shtet ka krijuar metodologjinë e vet. Rumania është e ngjashme deri diku me sistemin tonë, por në ndryshim Rumania ka një sistem pikëzimi, i cili nuk i jep vlerë ekonomike vendimit për kompensim, por pikë. Mbi bazën e tyre fillon procesi i kompensimit, por deri në 16 për qind, paguajnë ata, ndërsa ne paguajmë 100 për qind, por me zërin kadastral në momentin e shpronësimit. Pra, është një model i ndërtuar, posaçërisht për vendin tonë, ndërkohë që rruga që ka zgjedhur Rumania në Gjykatën e Strasburgut me vendim pilot etj., është e njëjta rrugë që kemi ndjekur dhe ne, si procedurë. Shumica e kanë mbyllur dhe unë mund të përmend këtu Slloveninë. Për shembull, një ekspert i pronave që ka ardhur këtu, slloven, kur ne i thoshim që presim kërkesa të reja, habitej. Ai vetë ka qenë pronar dhe nuk ka përfituar, për shkak se shteti e mbylli historinë me idenë që nuk mund ta zgjatnin procesin për vite të tëra.


Dokumentet
Meqenëse data 23 maj 2016 është afati i fundit për të aplikuar për njohjen e pronësisë, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka ripërsëritur edhe njëherë njoftimin dje, duke sqaruar se duhet të plotësojnë formularët vetëm ata qytetarë, të cilët nuk kanë aplikuar asnjëherë për njohje pronësie. Ndërkohë, të gjithë të interesuarit e tjerë do të njoftohen publikisht dhe zyrtarisht nga ana e ATP mbi ecurinë e dosjeve te tyre. Pronarët që do të aplikojnë deri në datë 23 maj për njohje pronësie duhet të kenë me vete vetëm dy dokumente, një dokument origjine prone të nxjerrë nga arkiva e shtetit dhe një pozicionim hartografik të pronës që pretendojnë t’u njihet. “Qytetarët që do të vijnë pranë Agjencisë do plotësojnë formularin e aplikimit për të cilin do të keni mundësinë të konsultoheni me punonjësit e Agjencisë. Këtë formular mund ta shkarkoni edhe nga faqja ëeb: atp.gov.al dhe mund ta dorëzoni ketë grup dokumentesh edhe përmes postës, duke i postuar deri ne datë 23 maj 2016”, njofton Agjencia.


Tapitë e tokave, ligji shtyhet deri në dhjetor 2017
Afatet për kalimin e tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve shtetërore dhe ishkooperativave tek përfitues të tjerë, të cilat mbyllen në 30 qershor të këtij viti pritet të shtyhen me një vit e gjysmë. Dy projektligje të reja që kanë shkuar në parlament do të diskutohen për t’u votuar para mbylljes së afatit ligjor. Në to argumentohen edhe arsyet për shtyrjen, ndërsa procesi i plotësimit të dokumentacionit të pronësisë mbi tokën bujqësore, për territoret e ish-ndërmarrjeve dhe ish-kooperativave bujqësore do të kryhet nga bashkitë. Sipas relacioneve përkatëse, afatet e reja janë kërkuar me qëllimin për t’ju ardhur në ndihmë përfituesve, që të formalizojnë pronësinë e tyre dhe ta disponojnë atë ligjërisht, si dhe bazuar në volumin e punës që kanë kryer deri tani bashkitë. Në rast se ky afat nuk do të shtyhet, sipas argumentit, pra procesi nuk përfundon në rrugë administrative, përfituesit do të detyrohen t’i drejtohen organeve gjyqësore, por do të ketë më tepër kosto për ta.


Titujt e pronësisë
Relacioni për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore, thekson se “për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës, ka ndarë tokën bujqësore, por nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, ligji ngarkon kryetarët e bashkive, t’i plotësojnë ato. Komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë kanë vetëm rolin kontrollues, në rast të ankimimeve nga individët dhe institucionet e ndryshme. Prefekti i qarkut e mbikëqyr realizimin e këtij procesi”.


Të dhëna
Nga raportimet e komisioneve vendore rezulton se gjatë gjithë veprimtarisë, deri më 31 dhjetor 2015, janë paraqitur 18 500 kërkesa nga qytetarët dhe institucionet shtetërore. Nga to, 10 065 kërkesa janë mbyllur me përgjigje administrative dhe për 3 482 kërkesa janë marrë vetëm 2 vendime administrative. Sipas të dhënave të komisioneve, rezulton se ka ende një numër shumë të madh kërkesash që duhet të shqyrtohen (rreth 5000). Komisionet vendore kanë marrë gjithsej 3 482 vendime, nga të cilat 1 507 vendime për pavlefshmëri të titullit të pronësisë. Sipërfaqja e trajtuar nga këto vendime është 1142,43 ha tokë bujqësore. Nga gjykata janë marrë gjithsej 332 vendime të formës së prerë, që i korrespondon një sipërfaqeje tokë prej 158,55 ha, të cilët kalojnë në pronësi të shtetit. Rreth 75% e kërkesave të paraqitura në gjykatë për vendimet për pavlefshmëri të titujve të pronësisë, nuk janë shqyrtuar përfundimisht ende nga gjykatat e të gjitha shkallëve. Kjo kërkon që komisionet në vijim të ndjekin proceset gjyqësore, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor. Për të trajtuar kërkesat e papërfunduara, me vendim administrativ, për të ndjekur volumin e madh të procedurës gjyqësore, për kërkesat e paraqitura në gjykatë, duke patur parasysh volumin e madh të punës me sistemin gjyqësor, si dhe ankimet që paraqiten në lidhje me titujt e pronësisë që plotësojnë bashkitë, është propozuar që afati i përfundimit të këtij procesi të jetë në datën 31 dhjetor 2017.


Më të lexuarat