Secondary Adv

Takimi me Ahmetajn, zbardhen 14 kerkesat e BiznesAlbania

“BiznesAlbania” i ka propozuar Ministrisë së Financave 14 kërkesa për lehtësimin e veprimtarisë së biznesit, në kuadër të diskutimeve për paketën e re fiskale. Luan Bregasi, kryetari i “BiznesAlbania”, në takimin e zhvilluar dje me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, kërkoi rishikimin e disa taksave dhe përmirësim të procedurave në administrimin e taksave.


Duke diskutuar për paketën e re fiskale, kreu i Financave Ahmetaj u shpreh se mbetet i hapur për të mbështetur kërkesat e biznesit. Ahmetaj përsëriti se me paketën e re fiskale nuk do të ketë rritje taksash, por vetëm thjeshtim të procedurave për biznesin.


Taksat
Bregasi i kërkoi Ministrisë së Financave rishikimin e taksës vendore të pasurisë për ndërmarrjet e fasonit dhe hoteleve, pasi aplikimi në nivelet aktuale, 400 lekë për metër katror, është i lartë.Në kërkesat e “BiznesAlbania” është përfshirë edhe përmirësimi i procedurave për mbylljen e aktivitetit dhe çregjistrimin e biznesit. Për të lehtësuar sektorin e transportit, Bregasi përsëriti kërkesën e Shoqatës së Transportit për heqjen e taksës së kamionëve që eksportojnë mallra drejt Italisë. Nga biznesi, Ministrisë së Financave i është kërkuar që Komisioni i apelimit të gjobave të kalojë në varësi të Financave.


Aktualisht, ky komision është në varësi të Tatimeve, por kjo, sipas “BiznesAlbania” bie ndesh me shqyrtimin e apelimit. “Komisioni i Apelimit të kalojë në varësi të Ministrisë së Financave, në mënyrë që ata që gjobitin biznesin, të mos gjykojnë vendimet e tyre”, ka argumentuar propozimin e tij Luan Bregasi Propozim tjetër ka qenë edhe ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore.“Në nenin 114 dhe 115 të ligjit ‘Për procedurat tatimore’ është quajtur detyrim tatimor edhe ulja e gjendjes kreditore. Mbi këtë llogariten gjoba dhe interesa. Kjo nuk ka sens, për faktin e thjeshtë se nuk ka lindur detyrim dhe për këtë arsye nuk mund të paguash gjoba dhe interesa”, është shprehur Bregasi.


Ndërtimi
Për të lehtësuar veprimtarinë e sektorit të ndërtimit, “BiznesAlbania” propozoi të shikohet mundësia e eliminimit të praktikave centralizuese fiskale në ndërtim, duke hequr çmimet e referencave, si dhe heqjen e përgjegjësisë fiskale ndaj firmave të ndërtimit për t’ua kaluar pronarëve të truallit. Në ndihmë të sektorit të ndërtimit u kërkua edhe legalizimi dhe më pas regjistrimi i 300 objekteve, që janë në pritje të vendimeve të ALUIZNI- t dhe të Hipotekës, si dhe dhënia e ndihmës zyrave të urbanistikës për përfundimin e planeve vendore.


Eksportet
“BiznesAlbania” ka propozuar lehtësi edhe për biznesin eksportues, duke kërkuar futjen e sistemit doganor të shërbimit të operatorit ekonomik për zhdoganimin e mallit në ndërmarrje. Nga biznesi është ngritur si shqetësim vendosja e gjobave në rastet kur sistemi elektronik në dogana pëson defekte.
 “Shpesh ndodh që sistemi elektronik ka defekt, për këtë arsye do të kërkonim që biznesi të mos gjobitej për shkak të sistemit, kur ai është me defekt”, vlerëson Bregasi në kërkesën e tij. Nga “BiznesAlbania” është kërkuar edhe rishikimi i kuotave të eksportit për shumë produkte “Made in Albania”.
Bregasi ka kërkuar për industrinë e veshjeve dhe këpucëve, si dhe fason, rimbursimin e TVSH-së në mënyrë elektronike dhe pa kontroll, me përjashtim të biznesit që ka të regjistruar risk kontrolli. Për ndërmarrjet e fasonit, është kërkuar mbështetje me fonde për nxitjen e punësimit. Për formalizimin e sektorit agro-përpunues, është kërkuar të mbështetet projekti i kartës elektronike për bujqësinë.


Më të lexuarat