Bizneset presin rritje te forte cmimesh deri ne shkurt
Të gjitha bizneset në vend presin një tjetër rritje të çmimeve deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Në vrojtimin e fundit të kryer nga Banka e Shqipërisë, sektori i industrisë është më pesimist sa i takon çmimeve për tre muajit e ardhshëm.
Produktet e prodhuara nga industria (ku përfshihet edhe industria ushqimore) në vend do të jenë 13.1% më të shtrenjta se muajit e kaluar, pasi bizneset janë përgjigjur se çmimet e produkteve do të arrijnë në 22.5% nga 9.4% që ishte në muajin nëntor.
Ndërtuesit janë sektori i dytë që presin rritjen më të madhe të çmimeve me 6.36% në tre muajit e ardhshëm, për të kaluar tek shërbimet me 4.12% dhe sektori i tregtisë me 0.5%.
Ndërsa sa i takon qytetarëve, ata nuk presin rritje të fortë të çmimeve, por shprehen se kanë hequr dorë nga blerjet e mëdha. Madje qytetarët pohojnë se po reduktojnë edhe kursimet e tyre, të ndikuar prej krizës së çmimeve.
Një valë e dytë e inflacionit u paralajmërua pak javë më parë edhe nga Banka e Shqipërisë, si pasojë e tensioneve të jashtme gjeopolitike, që ndikojnë direkt tek çmimi i energjisë dhe i karburantit që më pas përçohen tek produktet e tjera përfshirë edhe ato të shportës.
Ndryshe nga banka qendrore dhe qeveria të cilat presin që inflacioni të kthehet në objektiv prej 3% në vitin që vjen, bizneset janë skeptike. Të gjithë sektorët pohojnë se inflacioni do të jetë rreth 5.7%./Burimi: Shqiptarja.com