
Ujesjellesit do te orientohen tek fotovoltaiket, gati projekti
Kompanitë e ujësjellës-kanalizimeve do të orientohen drejt rritjes së eficiencës së energjisë dhe investimeve në fotovolatikë, si një formë për të amortizuar kostot e tyre.
Në një dokument vlerësimi të Bankës Botërore për projektin e modernizimit të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve me një vlerë rreth 78 milionë USD dhe që hyri në fuqi në maj të këtij viti, jepen detaje për atë se çfarë është bërë deri më tani.
Banka nënvizon se programi u miratua nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore më 12 maj 2022 dhe hyri në fuqi më 10 maj 2023. Marrëveshja e huasë u ratifikua nga Kuvendi më 23.03.2023 dhe Marrëveshja e Grantit u miratua nga Këshilli i Ministrave më 24.03.2023.
Qeveria po përparon në zhvillimin e politikave kyçe siç është rënë dakord në fushën e rezultateve 1 të Programit.
Progresi në reformën e sektorit:
a. Qeveria me mbështetjen e grupit të punës po përparon në mënyrë të kënaqshme në zhvillimin e politikave kryesore për të përmbushur objektivat e DLI1.
b. Qeveria ka siguruar mbështetje për hartimin e udhëzimeve në lidhje me përgatitjen e planeve të biznesit për ndërmarrjet e ujësjellësit
c. AKUM dhe Enti Rregullator i Ujit (ERRU) nënshkruan më 8 nëntor 2023, 2 marrëveshje në lidhje me (i) Variablat e të Dhënave që do të kërkohen nga shoqëritë dhe (ii) Modeli i planeve pesëvjeçare të biznesit për shoqëritë” thuhet në tre prej pikave të nënvizuara në vlerësimin e programit.
Në fund Banka thekson se AKUM tashmë ka përgatitur termat e referencës për auditimet e eficiencës të energjisë dhe vlerësimin e PV diellore për të eksploruar më tej potencialin për promovimin e energjisë fotovoltaike/solare.
Investimi në fotovoltaikë është nënvizuar më herët edhe nga Enti Rregullator i Energjisë duke e vendosur këtë si rekomandim që mund të mbahej parasysh nga ndërmarrjet në vijim duke pasur parasysh që pesha që shpenzimet e energjisë zënë në totalin e kostos së tyre është e lartë.
Vetëm vitin e shkuar kur kriza e energjisë arriti kulmin ndërmarrjet rritën shpenzimet e tyre për këtë zë dhe për energjinë. Në raportin e performancës ERRU vlerësonte se kostot e energjisë elektrike në sektorin e UK zënë rreth 34% të totalit të kostove O&M (perative dhe mirëmbajtje).
“Pra janë disa shoqëri të cilat nuk arrijnë të mbulojnë kostot e O&M dhe mbijetesën financiare e sigurojnë me anë të subvencioneve nga qeveria qendrore, ose duke mos paguar faturën e energjisë elektrike ndaj OSHEE-së.
Kjo gjendje ka sjellë një borxh të akumuluar të sektorit ndaj OSHEE i cili në mbyllje të vitit 2022 rezulton rreth 14 miliard lekë ose (122.4 milion Euro). Në Aneks 13, tabela 53 jepen të detajuara të dhënat e detyrimeve ndaj OSHEE për secilën shoqëri UK të grupuara sipas reformës në shoqëri UK Rajonale” thuhet në raport.
Në këtë kontekst investimet në eficiencë dhe burime të rinovueshme për ujësjellësit marrin rëndësi diçka që është parashikuar edhe në projektin që po mbështetet nga Banka Botërore.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/ujesjellesit-do-te-orientohen-tek-fotovoltaiket-gati-vleresimi-i-potencialit/)
Më të lexuarat








