
Buxheti i Tiranes 2024: 6 mln euro per te parkuar, rekord taksa e arsimit
54% të buxhetit 2024, ose 18.4 miliardë lekë, bashkia e Tiranes do ta sigurojë nga të ardhurat që ajo mbledh nga taksat dhe tarifat.
Parashikon që të ketë në dispozicion një buxhet prej 33 miliardë lekësh (rreth 300 milionë euro) në vitin 2024, një shumë që është 16% më e lartë sesa pritshmëria e këtij viti, sipas projektbuxhetit 2024, të bërë publik nga bashkia.
Nga “tarifa e pastrimit” pritet të arkëtohen 2.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel sa pritshmëria e këtij viti.
Zëri tjeter që pritet të sjellë më shumë të ardhura është “Taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore”, nga e cila pritet të arkëtohen 926 milionë lekë (8.4 milionë euro), niveli më i lartë që kur filloi zbatimin.
Kjo taksë pritet të mblidhet dhe në 2025-n, me 971 milionë lekë, kur dhe mbaron afati i zbatimit të saj. Sipas relacionit të bashkisë,
Taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore ka një realizueshmëri të kënaqshme që nga koha e hyrjes në fuqi, në vitin 2016, si për kategorinë biznese edhe për kategorinë familjarë.
Në fillim të vitit 2023 arkëtimet nga kjo taksë u reduktuan nga miratimi i kësaj takse për një periudhe të re 3 vjeçare dhe limitimi i vlerës së saj në masën 35% të detyrimit të taksës së ndërtesës për të njëjtin subjekt.
Niveli i pritshëm i realizimit për vitin 2023 do të jetë mbi vlerën e parashikuar për subjektet “Familjare” duke marrë parasysh hyrjen në fuqi të VKM-së së re në datën 28.07.2023 dhe aplikimit të ndryshimeve të çmimeve të referencës në faturimet e muajit gusht 2023 për taksën e ndërtesës dhe respektivisht dhe për taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore.
Për subjektet e biznesit ky ndryshim nuk do të ndikojë vlerën e pritshme të realizimit për vitin 2023 dhe efekti për periudhën 5 mujore do të vihet re në vitin në vazhdim bashkë me parashikimin e vitit 2024.
Gjithsesi, ndryshimi i çmimeve të referencës për apartamentet e banimit dhe si rrjedhojë çmimet referuese për strukturat që përdoren për qëllime biznesi dhe parashikimet për taksën e ndërtesës për këto subjekte do të shërbejnë si kufi të sipërm të parashikimeve për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, sqaron bashkia.
Për të parkuar, një mision që sa vjen e bëhet më i vështirë dhe më i shtrenjtë në kryeqytet, Bashkia pritet të mbledhë 623 milionë lekë, ose gati 6 milionë euro, rreth 3.5% më shumë në krahasim me të pritshmin 2023.
Sipas Bashkisë, arkëtimet nga tarifa e parkimit kanë shënuar trend rritës që nga fillimi i aplikimit të kësaj tarife me përjashtim të vitit 2020, vit i pandemisë, ku kufizimi i lëvizjes reduktoi dhe parkimin e automjeteve në rrugë e sheshe.
Gjithë taksat do i sjellin bashkisë gati 80% të të ardhurave të veta, që ajo pritet të mbledhë nga taksat e tarifat.
/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/buxheti-i-tiranes-2024-ndertimet-nuk-do-te-ndalen-8-milione-euro-me-shume-nga-taksa-e-pronesise-6-milione-euro-per-te-parkuar-rekord-taksa-e-arsimit/)
Më të lexuarat








