Secondary Adv

Eksportet e bimeve mjekesore bien me 22 per qind nga renia e euros

Rënia e vazhdueshme e kursit të këmbimit të Lekut me Euron dhe Dollarin vijon të godasë bizneset eksportuese shqiptare.

 

Pas sektorit fason të tekstileve dhe këpucëve, zhvlerësimi i valutës së huaj ka ulur në nivele të larta edhe eksportet e bimëve mjekësore.

 

Në periudhën janar-tetor 2023, sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” ranë me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e eksporteve të bimëve mjekësore për 2023 është më e fortë se gjatë vitit të pandemisë nga Covid-19.

 

Kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, tha për “Monitor” se tkurrja e lartë e eksporteve është ndikuar tërësisht nga zhvlerësimi i monedhës europiane dhe dollarit për shkak të flukseve të larta hyrëse të parave informale.

 

“Me përfundimin e sezonit turistik dhe largimin e turistëve tashmë nuk ka asnjë shpjegim apo logjikë ekonomike për rënien e vazhdueshme të Euros dhe për arritjen e saj afër nivelit prej 100 lekë.

 

Është më se e qartë se rënia e monedhës europiane, por edhe e Dollarit në këto nivele po ndikohet vetëm nga prurja e parave nga jashtë nëpërmjet burimeve të nëndheshme.

 

Në ekonomi, këto para janë të ngurtësuara në sektorin e ndërtimit në pallate dhe apartamente, pra në objekte që shihen çdo ditë nga të gjithë individët”, thekson z. Gjoka.

 

Në harkun e një viti, monedha europiane është zhvlerësuar 13,5%, ndërsa rënia e monedhës së Dollarit në raport me vjet vlerësohet rreth 15%.

 

Për shkak të zhvlerësimit të lartë të monedhave të huaja nga paratë informale të sjella nga jashtë, z. Gjoka pohon se gati 30% të kompanive të këtij sektori gjenden në prag të falimentimit, në pamundësi reale për të mbijetuar.

 

Problematikë e mprehtë për sektorin vijon të mbetet edhe mungesa e fuqisë punëtore në fabrikat grumbulluese dhe përpunuese të bimëve mjekësore.

 

“Sektori po has shumë vështirësi edhe me mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit.

 

Kjo po sjell jo vetëm lënien e tokave djerr në zonat malore për shkak të shpërnguljes apo largimit në emigracion të banorëve, por edhe mungesë të fuqisë punëtore në fabrikat grumbulluese dhe përpunuese.

 

Zgjidhja e vetme mbetet punësimi i të huajve. Deri tani janë punësuar 10 punonjës nga India dhe pritet që për muajin tjetër të vijnë edhe 20 punonjës”, tha ai.

 

Rënia e vazhdueshme e Euros për shkak të flukseve hyrëse të parave informale që më pas përdoren në sektorin e ndërtimit shpeshherë është artikuluar nën zë nga shumë ekspertë dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit,

 

duke u nisur nga të dhënat e çmimeve të larta dhe shitjeve në ajër gjatë stinës së verës në disa resorte të bregdetit të Jugut, por edhe në Durrës.

 

Blerësit e këtyre pronave sipas agjentëve imobiliare kanë pasur avantazh kryesor investimin, pra dhënien me qira të këtyre pronave.

 

Për shtrenjtimin e apartamenteve vetëm në Tiranë sipas indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë , çmimi mesatar i banesave të shitura në 6-mujorin e parë të 2022 u rrit 39% në krahasim me një vit më parë.

 

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të vitit 2023 vetëm 40% e blerësve e kanë financuar blerjen me kredi. 

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/eksportet-e-bimeve-mjekesore-bien-me-22-nga-renia-e-euros-gjoka-zhvleresimi-i-ndikuar-nga-prurjet-e-parase-informale-nga-jashte-qe-ngurtesohen-ne-ndertim/)


Më të lexuarat